Friday, May 3

Basha: Konflikti në shtëpinë tonë politike ‘shpërtheu’ prej Berishës

Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike që drejtohet prej tij, Lulzim Basha ka thënë se “duart e pista të politikës së vjetër nuk mund të fshihen pas baltës ndaj tyre.” 

“Të nderuar delegatë, në këto dy vite tejet të vështira, ne rezistuam dhe nuk u bëmë kurrë njësh me llumin e akuzave, nuk adoptuam kurrë gjuhën e shpifjeve dhe lincimit publik. Shumë herë na e kanë konsideruar këtë si dobësi. Por koha tashmë e ka treguar se ata që hodhen baltë ndaj nesh, nuk i fshehin dot më duart e pista nga shpifjet me të cilat dëmtuan demokratët dhe PD. Ne nuk ju gënjyem, nuk ju premtuam as përmbysje imagjinare dhe as revolucione që nuk ndodhën kurrë. Ne jemi të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën ndodhet PD pas akteve të papërgjegjshme të ish-liderit të saj. Këtë të vertete nuk e fshehin dot as kullat që kanë në themel korrupsionin dhe baltën e hedhur ndaj nesh. Ne jemi bashkë sepse besojme tek vlerat dhe parimet. Tek e verteta dhe beteja me krimin dhe korrupsionin dhe jo tek seleksionimi për të luftuar disa e për të kursyer të tjerë me të cilët bëhen pazaret e natës.”

Gjithashtu Basha gjatë fjalës së tij theksoi se shkak i konfliktit dhe vështirësive me të cilat po përballet sot Partia Demokratike është Sali Berisha.

“Një betejë dy-vjeçare që ju ka marrë shumë energji dhe kohë demokratëve të thjeshtë. Ne e dimë si dhe kur nisi kjo. Kjo nisi kur në shtëpinë tonë politike shpërtheu një konflikt me autor dhe protagonist, ish-kryetarin pas shpalljes së tij non-grata nga aleatët tanë dhe nga vendimi im tashmë të vërtetuar dhe të kujdesshëm për ta pezulluar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Sot paraa jush dua tju them me ndërgjegje politike dhe personale të pastër dhe theksoj se çdo vendim dhe çdo hap që kam hedhur në këto dy vite që nga vendimi për ta pezulluar nga grupi parlamentar ish-kryetarin e kësaj partie e deri të dorëheqja ime për ti dhene një shanc pajtimit kanë qenë në funksion të të ardhmes së PD të fitores së saj.”