Saturday, May 18

Nis protesta para Gjykatës së Lartë, bllokohet qarkullimi i mjeteve

Ka nisur para pak çastesh protesta e opozitës në hyrje të rrugës “Myslym Shyri”, për të vazhduar më pas para Gjykatës së Lartë.

Protesta po zhvillohet për “vulën” e Partisë Demokratike, ku sot Gjykata e lartë do të vendosë se kujt i përket, grupimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, apo atij të Lulzim Bashës. Në mars të këtij viti Gjykata e Apelit vendosin rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në shkallë të parë me trupë tjetër gjykuese.

Gjyqtari Agron Zhukri njohu Kuvendin e Berishës të 11 dhjetorit 2021 si legjitim, ndërsa Enkelejd Alibeaj, në atë kohë kryetar i komanduar i PD-së, ankimoi vendimin.

Grupimi i Berishës ka paralajmëruar se në rast se vendimi do jetë kundër tyre, protesta do eskalohet më tej. Kujtojmë se paralelisht, sot Gjykata e Posaçme do vendosë për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, pas kërkesës së SPAK për vendosjen e tij nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për dosjen “Partizani”.