Elva Margariti u largua nga posti i ministres, pas shkrirjes së Ministrisë së Kulturës
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur ditën e sotme një konferencë për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë në Shëngjin.
Rama u pyet nga gazetarët për arsyet që çuan në largimin e Elvi Margaritit nga posti i ministres së Kulturës, pas bashkimit të 3 institucioneve në një të vetme, me formimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me ministër Blendi Gonxhen. Kryeminsitri tha se Margariti e ka kryer punën e saj në mënyrë të shkëlqyer, por shtoi se ministria e re u krijua për t’i dhënë një shtysë ekonomisë.
“Ministria e re nuk është krijuar për të larguar zonjën Margaritit, por është bërë për të krijuar një strukturë të re. Ka të bëjë më nevojën të jashtëzakonshme të vendit për të ecur më shpejt, duke thyer edhe kufijtë tradicionalë, në ndërkohën kur ekonomia jonë, sektori po themi institucional, pjesa institucionale që mbulon ekonominë ka nevojë për një shtysë të re të fortë, sepse janë një serë sfidash që kërkojnë shtysa”– tha Rama.
Krijimi i ministrisë së re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, solli shkrirjen e ministrisë së Kulturës dhe rjedhimisht shkarikimin e Elva Margaritit. Kjo e fundit që prej janarit 2019 shërben si ministre e Kulturës. Më herët asaj i ishte besuar detyra e këshilltares për territorin dhe të Koordinatores Kombëtare për Programin e Integruar për Zhvillimin Rural (Programi 100 Fshatrat) pranë Kryeministrit të Shqipërisë.