Saturday, May 18

Java që pritet të përmbysë karrierën e Sali Berishës

Nga Roland Qafoku

E hëna në Komisionin e Mandateve dhe e enjtja në seancë plenare do të jenë dy ditët që Sali Berisha do të donte të mos i kishte në CV-në e tij. Deputetët do të marrin në shqyrtim kërkesën e drejtuesit të SPAK Altin Dumani të dërguar më 12 dhjetor, në të cilën, i kërkon Kuvendit autorizmin për arrestimin e tij. Nuk ka ndonjë dyshim që kuvendi do ta japë këtë rekomandim.

I gjithë opinioni nuk ka pritshmëri tjeter, përveçse asaj që mazhoranca socialiste dhe bashkë me të edhe disa vota nga e djathta, do të japë e sigurtë votat e mjaftueshme që Sali Berisha të arrestohet. Por, si Berisha dhe i gjithë opinioni publik, më shumë janë të interesuar dhe kuriozë të dinë se çdo të ndodhë pas dhënies së miratimit nga kuvendi.

Pra, çfarë veprimesh do të kryejë SPAK pas këtij rekomandimi. Opsioni më i mundshëm është që prokurorët të kërkojnë dhe marrin në gjykatë masën arrest në shtëpi për shkak edhe të rrethanave: Moshën e madhe dhe akuzën jo të rëndë, atë të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë, të kryer në bashkëpunim.  Le të mendojmë për një moment Sali Berishën në shtëpi si një i arrestuar. E rëndë është sa s’ka ku të shkojë më. Kur duhen edhe 10 muaj që të mbushë 80 vjeç, duket sikur e gjithë karriera e tij bëhet hi vetëm nga ky vendim i prokurorëve të SPAK dhe Gjykatës së Posaçme.

Pra, politikani më i rëndësishëm në këto 33 vjet në Shqipëri; Ai që dominoi politikën dhe asnjë vendim politik në këto më shumë se 3 dekada nuk është marrë pa miratimin e tij; Politikani që ishte 8 vjet kryeministër, i pesti në radhë për kohëgjatësinë në detyrë mes 33 kryeministrave në 111 vjet shtet; Politikani që qendroi 5 vjet në detyrën e presidentit të Republikës, presidenti më jetëgjatë në detyrë pas rrëzimit të komunizmit dhe i vetmi që është zgjedhur për dy mandate;

Politikani që ka një kontribut të jashtëzakonshëm në rrëzimin e diktaturës dhe në organizimin e Lëvizjes së Dhjetorit 1990; Ai që ka meritën që mes atij grupi intelektualësh të formonin Partinë Demokratike, atë 12 dhjetor 1990, të parën forcë opozitare në historinë e Shqipërisë; Politikani që ndikoi dhe ka kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare, veçanërisht atë të Kosovës që arriti me pavarësinë e saj dhe themelimin e shtetit më të ri në Evropë;

Politikani që duke qenë në detyrën e kryeministrit pati dy arritje nga më të rëndësishme si asnjë politikan tjetër në këto 33 vjet, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe heqjes së vizave me BE; Politikani që ka lënë shenjën e vetë në ndërtimin e Shqipërisë në këto 33 vjet me vepra, mes tyre ndërtimin e kryeveprës, atë të rrugës së Kombit Durrës-Kukës-Morinë që cilësohet si bashkimi i gjeografik mes Shqipërisë dhe Kosovës; Politikani që udhëhoqi dhe drejtoi Partinë Demokratike në qeveri për afër 3 dekada dhe veçanërisht në vitet e vështira në opozitë 1997-2005;

Politikani shqiptar që ka një bilanc si askush tjetër në marrëdhëniet me SHBA duke qenë i pari autoritet shtetëror shqiptar i pritur me ceremoni të veçantë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Zyrën Ovale të presidentit George H. Bush;

Politikani i parë shqiptar që duke qenë në detyrën e kryeministrit priti më 10 qershor 2007 presidentin e SHB-së, George W. Bush, i cili u bë i pari president amerikan që vizitoi Shqipërinë; Dhe pas kësaj parade dhe bilanci si askush tjetër në Shqipëri, pas 33 vjet karrierë nga më intesivet, është në prag të arrestimit. Prandaj kjo pritet të jetë java e përmbysjes së madhe të karrierës së tij.