Saturday, May 18

“Sot jemi në një monizëm më të fuqishëm se ai që rrëzuam”, Berisha: Do përdorim çdo mjet të mosbindjes civile për të përmbysur Ramën

Ish-Kryeministri, Sali Berisha po zhvillon ditën e sotme takimin “Gratë në Aksion për Shqipërinë – O sot, o kurrë”, në selinë blu.

Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se sot vendi është në një monizëm më të fuqishëm se ai në vitin 1990-1991 dhe liritë politike të popullit opozitar janë të asgjësuara.

Sali Berisha: Tani duhet të flasim haptas. Kjo parti, që përmbysi dhe ndau epoka dhe solli për shqiptarët epokën më të ndritur në tërë historinë e tyre, ka një trashëgimi të jashtëzakonshme. Por në qoftë se si njerëz që do u përmbahemi të vërtetave, duhet të pranojmë se ajo epokë që solli PD, ka marrë fund. Ajo nuk ekziston më në parimet e saj të lirisë përveç tregut, ajo epokë nuk ekziston më në Shqipëri. Sot, në Shqipëri është vendosur një monizëm më i fuqishëm, ua them me përgjegjësi të plotë, se ai që rrëzuam në vitin 1990-1991. Sot, liritë politike të popullit opozitar janë absolutisht de facto të asgjësuara. Sot, çdo formë shteti që të pret liritë, është pushtim i brendshëm apo i jashtëm. Dhe mund t’u them se në histori janë të rralla kombet që kanë përjetuar pushtime më të shumta se ne. Por asnjëri prej këtyre pushimeve nuk ka spastruar në 9 vite, 35 përqind të kombit shqiptar. Kurrë dhe asnjëherë. Ju jeni nëna, motra, vajza, gjyshe, jeni kontributore kryesore në epokën që është mbyllur. Me shumë të drejtë mund të shtroni pyetjen: po mirë, ju thoni se epoka që solli PD u mbyll. Çfarë mbetet për ne demokratët? Gjithnjë do i përmbahemi të vërtetës. Për ne demokratët mbeten vetëm dy gjëra. Mbetet trashëgimia jonë, thashë edhe njëherë, ne sollëm epokën më të ndritur në historinë e këtij kombi.

Por, ne sot këtu ku jemi, jemi para një vendimi të parë ose të dytë të jetës sonë. Të parë, për vajzat e reja që në vitet 1990 nuk kanë pas lindur akoma ndoshta, të dytë për ne të tjerët, që në vitin 1990 u ngritëm dhe rrëzuam diktaturën. Pra, për të përmbysur këtë diktaturë. Nuk ka asnjë dyshim për çdo njeri që ka gjykim politik se kjo është një diktaturë bande dhe të gjithë ata që kanë studiuar diktaturat, diktaturën e bandës e kanë cilësuar si më të keqen e diktaturave. Sepse në dallim nga diktaturat e tjera, që kanë ligje, kjo nuk ka ligje, por vetëm vullnet të një njeriu që bën gjithçka dhe merr çdo vendim. Por për çfarë na duhet e shkuara jonë? Na duhet për reflektim për përgjegjësinë tonë për këtë që ka ndodhur. Se kjo që ndodhi, ne përmbysëm diktaturën si luftëtarë lirie, si njerëz që dëshmuam se pasioni ynë kryesor është liria. Por këto 10 vite, para syve tanë, liria u tret. Para syve tanë, institucionet demokratike u shpërbënë. Para syve tanë, të drejtat e qytetarëve tanë u shkelmuan. Para syve tanë, u arrestuan për çështje civile 22 mijë qytetarë. Para syve tanë, bandat rivendosën sundimin e tyre, që ne me duart e hekurta i përzumë. Para syve tanë, fëmijët tanë vetëm u larguan nga Shqipëria. Shqipëria u braktis. Para syve tanë ndodhën të gjitha këto. Jo se ne na kishte lënë fuqia. Jo. Jo se ne nuk kishim pasion lirinë. Jo. Por në mënyrën më tragjike ne u tradhtuam. Ne jemi sot opozitarët e kauzave të tradhtuara. Sepse ne nuk duhet të lejonim kurrë të ndodhnin këto. Ne kishim çdo fuqi për të mos lejuar instalimin e kësaj që është instaluar.

Ndër të tjera Berisha u shpreh se Partia Demokratike do të përdorë çdo mjet të mosbindjes civile për të përmbysur Ramën.

Sali Berisha: Duhet të bëjmë gjithçka, por duhet të prijmë vetë me shembullin tonë. A mundet diktaturat të na rezistojnë ne? Absolutisht kurrë. Ata organizuan një proces, në fakt procesin e vërtetë ua kam bërë unë atyre. I detyrova të veprojnë si mercenarë, i detyrova të shkelin çdo ligj dhe parim, i detyrova të veprojnë me superurgjencë. Pra, mosbindja civile, beteja pa kthim me moton o sot o kurrë, ka dhënë rezultatet e para të shkëlqyera. Por këto janë rezultatet e para. Është në dorën tonë, në dorën e secilit prej jush që të vendosni tulla të tjera në këtë godinë të re, në këtë epokë të re që duhet të çelim, duke e ndarë Shqipërinë nga diktatura e bandave dhe krimit të Edi Ramës. Ne duhet të mobilizojmë çdo potencial tonin për të larguar këtë armik, që në aspektin e qenies faktohet armik më i egër se çdo diktator që kemi njohur gjer më sot.

Gjithashtu Berisha lidhur me jehonën e mosbindjes civile të PD, në mediat e huaja tha: Ama një mosbindje civile dymujore e deputetëve në parlament, çoi peshë mediat e botës. Mediat janë një pushtet moral shumë i rëndësishëm. E vërteta është se jo vetëm mediat, por edhe një seri institucionesh të rëndësishme. Dhe BE i mbylli derën, nuk ka negociata i tha. U ndala në këtë pikë, sepse ky diskutim nuk shërben, përkundrazi është largim nga e vërteta. Ne nuk kemi armë tjetër përveç të vërtetës. Ju jeni dëshmitarë, çdo ditë e ndjeni se çfarë frike ka mbjellë Edi Rama./tvklan.al