Sunday, May 19

“E trajtonin si kafshë”/ Flet motra e shqiptarit që u gjet i vdekur në qendrën e emigrantëve, në Britani

Leonard Farruku, 27 vjeç, nga Manza e Durrësit është shqiptari i vetëvrarë në anijen ‘Bibby Stockholm’ ku mbahen azilkërkuesit e regjistruar në Britani.

Identiteti i të riut është zbuluar nga ‘The Telegraph’, që shkruan se i riu pagoi 4,000 euro për të kaluar Kanalin La Mansh me gomone duke hyrë ilegalisht në Britani, verën e kaluar.

Javën e kaluar u zbulua se azilkërkuesi ishte ankuar për shëndetin e tij mendor një ditë para se të vdiste dhe, sipas migrantëve të tjerë, ishte dëgjuar duke bërtitur dhe përplasur në murin e kabinës së tij.

Motra e tij Jola Dushku, 33 vjeçe, e cila jeton në Lombardi të Italisë, tha se ishte e tronditur nga lajmi, të cilin e morën vesh nga të afërmit në Mbretërinë e Bashkuar të kontaktuar nga policia që po hetonte vdekjen.

“Kur fola me të herën e fundit, ai më tha se kushtet në atë varkë nuk ishin të këqija, por ata trajtoheshin nga rojet si kafshë. Vëllai im, kur mbërriti në Britani i dha Home Office adresën e të afërmve tanë në Londër. Ata u kontaktuan nga policia e cila u tregoi se çfarë kishte ndodhur.

Sipas të afërmve tanë që janë në kontakt me policinë, Leonardi atë natë në orën 23 të mbrëmjes ka pasur disa probleme dhe është qetësuar nga roja. Në orën 3 të mëngjesit ai u gjet i vdekur. Nuk kemi më shumë detaje se si ai vdiq.

 Ai erdhi në Angli me ëndrrën për të gjetur punë më të mirë dhe, më e rëndësishmja, për të marrë leje të pacaktuar për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar. Leonardi u bë një person tjetër kur nëna jonë vdiq. Vdekja e saj e ndryshoi atë.

Unë do të gjej paqen në mendjen time vetëm kur të gjej të vërtetën e asaj që ndodhi atë natë në Bibby Stokholm,” tha ajo.