Teksa na ndan vetëm një ditë nga ndeshja e rëndësishme me Republikën Çeke, trajneri Sylvinho ka deklaruar se ekipi ynë ka si objektiv vetëm fitoren.

I pyetur nga gazetarët nëse do ishte i kënaqur edhe me një barazim, ai tha se nëse nuk fitojnë barazimi shihet si rezultat pozitiv, megjithatë kuqezinjtë do hyjnë në fushë për 3 pikë.

“Një ndeshje që e menaxhoj si të tjerat. Të gjithë ndeshjet janë të vështirë, por kjo është më e rëndësishmja për mua si trajner. Por nuk është vendimtare. Na duhen pikë, duhet të marrim pikë dhe do të bëjmë maksimumin për t’ia arritur objektivit. Nëse nuk fitojmë dot, atëherë barazimi pranohet. Por ne do të futemi në fushë për të fituar ndeshjen.”- tha trajneri.

Sai përket formacionit me të cilin ekipi ynë do të luajë, teknisku brazilian deklaro ise skema do të jetë pak a shuëm e njëjtë me ndeshjet e fundit, ndërsa shtoi se nesër do të jetë një lojë e bukur.

“Është shumë e rëndësishme të tregojmë shpirtin dhe zemrën në fushë, për tifozët tanë. Kjo është forca e kësaj skuadre. Dhe kështu do të ndodhë. Skema do jetë pak a shumë e njëjtë me ndeshjen e parë. Ata janë të fortë, janë të fortë në tranzicion, bëjnë zbritje me 5-6 lojtarë. Janë të fortë edhe në goditjet standarte. Duhet të përgatitemi shumë mirë.

Por ndryshojnë dy gjëra krahasuar me ndeshjen e parë: luajmë në shtëpi dhe kanë mbetur edhe dy takime më pas. Kemi lojtarë me eksperiencë, si Gjimshiti, Hysaj, Strakosha dhe lojtarë të tjerë. Lojtarë që janë mësuar me këto lloj takimesh. Ndihem shumë mirë, njerëzit mbështetin dhe kanë besim edhe te lojtarë si Uzuni, Muçi, Asani.

Më pëlqen edhe fakti që janë të njohur lojtarë. Njerëzit thonë se kjo është një skuadër e organizuar dhe me vlera. Kjo më gëzon. Në fushë mund të ndodhë gjithçka. Nesër do të shohim një ndeshje shumë të bukur.

Jam i fokusuar vetëm te Çekia. Kemi lojtarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, nga gjithë trevat shqiptarë. Pak rëndësi ka nga është origjina e një futbollisti. Nëse lojtarët janë në gjendje të luajnë me ne, kanë cilësitë e duhura dhe e ndjejnë, atëherë mirë se të vinë. Daku dhe Mija janë lojtarë shumë të mirë, po bëjnë shumë mirë me Shqipërinë.

Nuk e kemi vendosur ende formacionin, edhe pse është vendosur rreth 80%. Kemi ende për të parë gjendjen e lojtarëve. Nesër do të vendosim. Ndoshta e shohim Laçin në fushë, por nuk kemi vendosur ende”, përfundoi trajneri i Shqipërisë.