Saturday, May 18

Çudirat në TikTok, ‘një deputet dha 500 euro për një biletë me Çekinë’

Ethet e ndeshjes së 12 tetorit mes Shqipërisë dhe Çekisë kanë kapluar tifozët kuqezi.

Për “Më lërë të Flas” në Top Channel, një nga tifozet e Kombëtares është shprehur e emocionuar, pasi Shqipëria duket sikur është vetëm një hap pranë ëndrrës: Prekjen për herë të dytë të magjisë së evropianit.

 

“Shumë emocione faktikisht, krahasuar me herët e tjera, sepse duket sikur jemi pranë asaj ëndrrës për t’u kualifikuar përsëri në një kompeticion shumë të madh sikurse është evropiani”- tha ajo.

“Jam tifoz i çmendur i Kombëtares, por Kombëtarja na ka bërë të gjithëve të çmendur këto kohë”- u shpreh një tifoz tjetër kuqezi.

 

“Jam një nga femrat më tifoze që ka kombëtarja”- u shpreh një tjetër tifoze.

 

Mirëpo, ndeshjen e 12 tetorit jo të gjithë tifozët do të mund ta ndjekin nga shkallët e stadiumit, pasi biletat janë shitur në kohë rekord.

 

“Për bileta ka qenë gati e pamundur njëherë. Unë e kam pritur atë ditë deri në orët e para të mëngjesit dhe ishte thuajse e pamundur të gjeje biletë”- tha një tifoz.

 

“Ishte e pamundur sepse një person është futur dhe ka blerë për të gjithë grupin shoqëror. Pra jo të gjithë të shkojnë dhe blejnë për veten e vetë”- tha një tjetër tifoze.

 

“Nëse s’do kisha biletë stadiumi, gjëja më e çmendur që do të bëja është të ndiqja ndeshjen nga ndërtesa më e afërt që mund të tregonte planimetrinë e plotë të stadiumit”- tha një tifoze.

 

“Më vjen keq që abuzohet me Kombëtaren këtë herë, por nuk e shmang dot pa e thënë sepse kjo prish pak atmosferën e bukur”- tha një tjetër tifoz.

 

Në situatën e krijuar ka lulëzuar tregu i zi. TikTok mbetet platforma virale që ka zëvendësuar tregun fizik. Aty ofertat janë të pazakonta, deri tek ndërrimi i një bilete me një makinë.

 

Ekipi i “Më lërë të Flas” kontaktoi përmes telefonit me një djalë që shet bileta online dhe ai e pranoi se deri në 300 euro ishte një biletë.

 

Top Channel