Saturday, July 27

Afera me kompleksin Partizani/ Balla pas daljes nga SPAK: Nesër do jem sërish, ja për çfarë do të dëshmojë

Taulant Balla ka dëshmuar ditën e sotme si person në dijeni për privatizimin e dyshimtë të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë.

Deputeti socialist ka dëshmuar për 3 orë e gjysëm në SPAK, ndërkohë që për mediat u shpreh se u thirr si person që ka dijeni për hetimet. Po ashtu ai shtoi se u ka dhënë fjalën hetuesve të BKH-së që çështjet mbeten pjesë e sekretit hetimor.

Balla bëri po ashtu të ditur se ditën të enjten, do të jetë sërish prezent në SPAK për padinë ndaj Sali Berishës.

“Kam qenë shpesh në këtë institucion për të depozituar kallëzime penale, edhe kur kam qenë në opozitë dhe tani si kryetar grupi. Shpresoj që SPAK ti shkojë deri në fund këtyre akuzave, kam bërë kallëzim dhe për çështje të tjera. Nesër do të jem sërish këtu për një çështje ku kam bërë një kallëzim penal për deklarimet e Sali Berishës dhe në momentin që kur ngrihet një akuzë duhet ta adresosh në SPAK.

Dua t’i qëndroj angazhimit me prokurorët, çështjet që diskutova do të mbeten private dhe kam dhënë sqarimet e mia. Një prej rasteve tipike të korrupsionit, të shkojë deri në fund”, u shpreh Balla.

Arrestimi i Vangjush Dakos?

“Kryeministri ka qenë i qartë, dua ti kërkoj drejtësisë së re që çështjet të mbyllen dhe për ata që ne kemi dyshime dhe kemi bërë kallëzime të vihen para drejtësisë”, tha ai.

Kallëzimi penal për këtë çështje është bërë më 17 nëntor 2020 nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Balla ka ngritur padi ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, të cilët i akuzon si përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks. Çështja është regjistuar për veprën penale të parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal që parashikon ‘pastrim të produkteve të veprës penale’.