Saturday, April 20

“Jetojmë me qira, s’kemi shtëpi tjetër”/ Gjykata merr vendimin për vilat e Arben Ahmetajt, çfarë kërkon ish-ministri

Ankimimi i ish-ministrit Arben Ahmetaj për sekuestrimin e vilave të tij do të shqytrohet nga Gjykata më 26 prill, në orën 11:00.

Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Dhimitër Lara në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.

Nga ana tjetër, në apelimin e sekuestros së pronave që janë në emër të partneres së Ahmetajt, Erjola Hoxha, deputeti socialist shkruan se për shkak të vendimit, janë detyruar që të jetojnë në një banesë me qira së bashkë me fëmijën, pasi nuk kanë shtëpi tjetër.

Më 3 prill, ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj ankimoi në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar masën e sekuestros që SPAK i vuri disa ditë mbi parë mbi dy pasuri të paluajtshme.

Dy objektet janë në emër të ish-gruas dhe bashkëjetueses aktuale të Ahmetajt dhe janë sekuestruar nga SPAK pasi Ahmetaj është në hetim për shpërdorim detyre, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Në kërkesën e tij në GJKKO, ish-ministri e quajti masën e sekuestros të paligjshme.