Sunday, May 5

EMRAT/ Polici amerikan vret gruan korçare, dy fëmijët e tyre dhe më pas veten (FOTO)

Një krim tronditës brenda familjes me 4 viktima është regjistruar në New York të ShBA-ve, pak para ndërrimit të vitit.

Raportohet se oficeri i policisë Watson Morgan, 49 vjeç, ka vrarë me armë zjarri gruan e tij Ornela Morgan (Ornela Rori), 43 vjeç me origjijnë nga Korça, dhe dy djemtë e tyre Liam 10 vjeç dhe Gabriel 12 vjeç. Më pas dyshohet se ai ka vrarë veten.

Katër trupat e pajetë u gjetën nga policia e New Yorkut pak pas mesnatës të së premtes në shtëpinë e familjes në New City, pasi Morgan nuk u paraqit për turnin e tij të mbrëmjes në Departamentin e Policisë Bronxville. Gjatë kontrollit në banesë policia gjeti edhe një pistoletë me të cilën dyshohet se janë kryer të gjitha vrasjet.

“Në këtë fazë të hetimit, besohet se Watson vrau gruan dhe dy fëmijët e tij, përpara se të vriste veten me një plagë të vetëshkaktuar me armë zjarri”, tha në një deklaratë departamenti i policisë.

Komuniteti në Clarkstown është shumë i tronditur pasi të gjithë e përshkruajnë familjen Morgan, një familje model me fëmijë shembullorë dhe prindër të përkushtuar.

“Unë kurrë nuk do të prisja që ai ta bënte diçka të tillë. Fëmijët luanin gjithmonë jashtë dhe nëna e tyre ishte personi më i ëmbël që kam takuar ndonjëherë”, u shpreh një prej fqinjve të familjes Morgan për mediat amerikane.

49-vjeçari nisi punën si polic në qytetin e Nju Jorkut në vitin 2000, ndërsa 43-vjeçarja me origjinë nga Korça punonte si mësuese në një shkollë publike.

Departamenti i Policisë Clarkstown – Byroja e Detektivëve njofton se do të vazhdojë të hetojë dhe kujtdo që ka informacion në lidhje me këtë incident i kërkohet t’ia japë atë policisë.