Sunday, May 5

E vrau në pragun e shtëpisë/ Bujar Fandaj i dërgoi bashkëshortit të italianes videot erotike para krimit

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Itali, ku shqiptari Bujar Fandaj masakroi për vdekje 27-vjeçaren italiane, Vanessa Ballan.

Mediat italiane raportojnë se para se të vriste 27-vjeçaren, Bujar Fandaj i ka dërguar një mesazh bashkëshortit të së resë, Nicola Scapinello. Bashkangjitur mesazhit, 41-vjeçari nga Kosova i ka dërguar dhe një video erotike ku shfaqej ai me 27-vjeçaren, të filmuar gjatë periudhës që ata kanë qenë të lidhur bashkë.

Prej kohësh 41-vjeçari e kërcënonte të renë italiane se do i dërgonte videot bashkëshortit, pasi ajo vendosi t’i jepte fund marrëdhënies së tyre jashtëmartesore. Për këtë ajo e kishte denoncuar dhe në polici, por gjithsesi nuk i kishte treguar asgjë bashkëshortit nga frika se mund të ndaheshin.

Pak kohë më parë autoritetet shëndetësore në Itali kanë publikuar autopsinë e të resë, ku thuhej se para se Vanessa Ballan të vritej, ajo është rrahur barbarisht nga 41-vjeçari shqiptar. Ndër të tjera, autoritetet Italiane shprehen se 27-vjeçarja ka marrë dy goditje në mushkëri, dhe më pas Bujar Fandaj e ka qëlluar me thikë në zemër, duke shpuar tej për tej organin jetësor të saj.

Shtatzënia e saj është konfirmuar gjithashtu. Ajo kishte arritur afërsisht javën e dymbëdhjetë të shtatzënisë. Në ditët në vijim do të bëhet edhe një test ADN-je për të zbuluar atësinë e fetuesit.

Vanessa Ballan u vra në pragun e shtëpisë e goditur të paktën 8 herë më thikë nga Fandaj.