Sunday, May 5

TMERR/ Po përshëndeste fëmijët, “Babagjyshi” bie nga kati i 24-t dhe humb jetën

Një 25-vjeçar i veshur si Babagjyshi ka vdekur pasi u rrëzua nga kati i 24 i një godine në qytetin Chelyabinsk të Rusisë. Ngjarja e rëndë ndodhi në praninë e shumë prindërve dhe fëmijëve, përfshirë djalin dhe gruan e tij.

Sipas mediave lokale, Babagjyshi planifikoi të zbriste me litarë nga maja e ndërtesës për të përshëndetur fëmijët që prisnin me ankth nën pemën e Krishtlindjes.

Megjithatë, ai që duhej të ishte një moment lumturie u shndërrua në një tragjedi kur Babagjyshi ra nga lartësia për shkak të një gabimi me litarët e sigurisë. Në momentin e rënies, pjesa më e madhe e turmës nuk e kuptoi seriozitetin e situatës, pasi shumë supozuan se rënia ishte pjesë e performancës.

Vetëm kur i ndjeri goditi një strukturë të mbuluar me borë në katin e parë të ndërtesës, të pranishmit e kuptuan se çfarë kishte ndodhur. Kompania përgjegjëse për eventin në fjalë kërkoi falje, duke theksuar se i riu konsiderohej një “specialist me përvojë”.

Rënia tragjike e të riut është regjistruar në video dhe është publikuar në rrjetet sociale, ku tashmë ka grumbulluar miliona shikime dhe komente.