Sunday, May 5

Berisha: Vendimi i parlamentit, i paligjshëm

 

“Arben Kraja, kandidat për deputet në listat e PS”

Për Sali Berishën vendimi i marrë nga Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit që i hap rrugë arrestit të tij në shtëpi ose me burg është i paligjshëm.

“Unë nuk mund të pranoj të ligjshëm një vendim që merret mbi bazën e një vendimi të paligjshëm. Është abrogimi që i bëjnë ata nenit 73, pika 2. Nuk ka asnjë legjitimitet ky vendim i komisionit Balla-Brava”.

Përpara mediave, ish-Kryeministri argumentoi se prokurorët e SPAK, Kraja e Millonai zbatuan urdhrin politik të kryeministrit Rama, duke e kthyer parlamentin në një noter për të legalizuar vendime antikushtetuese.

“Nuk paraqitën asnjë provë, asnjë fakt të vetëm. Unë mendova që aty do shkojë dosja dhe e vetmja pyetje që iu bë për ndryshimin e distinacionit, ai tha s’jemi këtu për këto.”

Por a do ta njohë Berisha vendimin e parlamentit, i cili të enjten pritet ta zhveshë nga imuniteti i deputetit për t’i hapur më pas rrugë SPAK-ut që të vendosë masën e arrestit?

“Politikisht qëndron ajo që kam thënë, por nga ana tjetër mendimi që do më përcjellin avokatët ka vlerën e vet të çmuar.”

Prokurori Arben Kraja hodhi poshtë akuzat se kërkesa për arrestimin e Berishës të ishte e nxitur politikisht, por Berisha thotë se ai mashtron.

“Ish-oficeri i policisë sekrete të Enver Hoxhës, kandidati për deputet i PS nuk mund të thotë gjë tjetër veçse mashtrime. Po nuk është politikë të hysh në listat e kandidatëve? Po a nuk ishte armë politike Sigurimi i Shtetit? Ishte arma më politike e Partisë së Punës së Shqipërisë. Më e besuara.”

Ndaj Arben Krajës dhe prokurorit Dritan Prençi, Berisha tha se Partia Demokratike do ngrejë dy padi penale për amnistinë që sipas tij u kanë bërë Erion Veliajt dhe Ilir Beqajt.

“Kjo padi penale ngrihet kundër Prençit dhe Krajës, sepse Kraja i ka nip dhe mbesë në dy sqetullat e Erion Veliajt. Si mund të bindesh ti që Ilir Beqaj nuk qenka përgjegjës kryesor, kur ka kryer hallkë pas hallke, veprime kryesore për sterilizimin”.

Sipas Berishës, prokurorët kanë amnistuar zyrtarë të lartë që kanë firmosur për 1 miliard euro, por që realisht kanë vjedhur 130 milionë euro nga paratë e taksapaguesve.

Tv Klan