Friday, April 26

Pasuritë e Ervis Martinajt i kalojnë shtetit! Ja vendimi i FUNDIT i Apelit të GJKKO

Gjykata e Apelit të Posaçëm lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për sekuestron e 34 pasurive të Ervis Martinajt dhe familjarëve të tij.

Apeli nuk legjitimon avokatin për pasuritë në emër të Ervis Martinajt, pasi nuk kishte prokurë të posaçme nga ky i fundit, por ishte firmosur nga familjarët.

Ndërkohë që edhe në lidhje me pasuritë në emër të këtyre të fundit, nuk ndryshoi asgjë nga sa më parë ishte shprehur GJKKO.
Vendimi i Apelit të Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara (kryesues), Nertina Kosova (anëtare) dhe Florjan Kalaja (anëtar), sot më datë 17.03.2023, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 48 akti, datë 07.03.2023 regjistri, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit V.K., A.K., M.M., V.M., E.M., D.M., E.M., R.M., D.K., A.K. F.V., kundër vendimit nr. 5, datë 23.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka disponuar mbi sekuestrimin e 34 pasurive.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Mospranimin e ankimit ndaj vendimit nr. 5, datë 23.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ngritur nga avokati Mirash Martini në emër dhe për llogari të z. E.M.

– Ti njoftohet ky vendim avokatit Mirash Martini.

– Miratimin e vendimit nr. 5, datë 23.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar përsa i përket ankuesve V.K., A.K., M.M., V.M., D.M., E.M., R.M., D.K., F.V.