Friday, April 26

Gjykata merr vendimin, Lefter Alla me 9 zyrtarë të tjerë lihen në arrest me burg

Gjykata Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla. Alla akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Së bashku me Allën është marrë vendimi dhe për 12 të pandehurit e tjerë që ndodheshin.

Nga ata 9 janë lënë në arrest me burg, ndërsa 2 janë lënë në arrest shtëpie. Një nga të pandehurit, Leonard Daçi u paraqit në seancë me vonesë. I shoqëruar nga avokati ai tha se është një nga të pandehurit dhe do dalë për vlerësim mase në një moment tjetër.

Në burg për tenderin e ujësjellësit në Bulqizë, me vlerë rreth 3.3 mld lekë, do të qëndrojnë:

Lefter Alla – Kryetar i Bashkisë Bulqizë
Enkeleda Lleshi – Zv/kryetare
Erion Isaku – Drejtor i Urbanistikës
Kujtim Zogu – Drejtor i Mbrojtjes Civile
Rubin Kola – Inxhinier urbanistike
Denis Xholi – Ish Drejtor Juridik
Arsen Gjoka – Drejtor i NJVKSH Bulqizë

Po ashtu edhe administratorët e firmave fituese të tenderit nga të cilët do të qëndrojnë në burg:

Aqif Konesha (i afërm i kryebashkiakut Lefter Alla)
Rasim Daçi
Dalo Gazidedja

Në arrest shtëpie:

Ana Nishku (arrest shtëpie)
Kastriot Ibrahimi (arrest shtëpie)

Dy ditë më parë, Lefter Alla, kryetar i Bashkisë së Bulqizës u vu në prangat e Policisë së Shtetit. Alla është vënë në pranga me urdhër të SPAK për shkak se ndaj tij rëndojnë dy akuza, atë për korrupsion dhe abuzim me tenderat publikë. Bashkë me Allën është vënë në pranga dhe nënkryetarja Enkelejda Lleshi dhe 11 të tjerë që janë identifikuar si: Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Rasim Daci, Dalo Gazidedja Aqif Konesha, Kastriot Ibrahimaj, Ana Nishku.

Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer veprime të paligjshme në dhënien e një tenderi me vlerë 3 milionë euro për ndërtimin e një Ujësjellësi në qytetin e Bulqizës. Tenderi i bashkisë drejtuar nga Alla, u fitua nga një kompani BOE England e cila mendohet se u favorizua gjatë procedurës. Por punimet, u kryen nga një tjetër kompani, OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.