Saturday, March 2

Dëshmia e edukatores: E godita të bindej për të marrë pjesë në mësim! Këmbën mund ta ketë dëmtuar te krevati

Edukatorja Majlinda Dehima, e cila është nën hetim si e dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Keqtrajtimi i të miturve’, në polici ka deklaruar se e ka goditur vajzën 3-vjeçare, me vizore jo për të dëmtuar, por për ta bindur që të marrë pjesë në mësim, teksa ka shtuar se vajza e vogël nuk kishte vëmendjen dhe nuk përfshihej, ndryshe nga fëmijët e tjerë në klasë.

Mësohet se ajo ka pretenduar se e ka dërguar vajzën për të fjetur gjumë dhe më pas e vogla nuk ka pasur shqetësime. Sipas saj, 3-vjeçarja ka fjetur për rreth 2 orë e gjysmë dhe kur është zgjuar, i ka shprehur shqetësime se ndjente dhimbje.

Edukatorja thotë se e ka kuptuar se vajza kishte dëmtuar këmbën dhe pretendon se mund të ketë qenë dëmtuar tek krevati, pasi ka thënë se aty ka hapësira.

Majlinda Dehima gjithashtu është shprehur se ka vënë në dijeni drejtoreshën e kopshtit privat për rastin.