Kryeredaktori i “Procesit Sportiv”, Genti Nallbani, ishte mëngjesin e kësaj të enjte i ftuar në emisionin “Wake Up”, për të folur në lidhje me ndeshjen Shqipëri-Çeki, e cila do të luhet sot në stadiumin “Air Albania”.

Gjatë intervistës, Nallbani u shpreh se nëse në fushë hedhim fishekzjarre, ndeshjen tjetër me Ishujt Faroe rrezikojmë që stadiumi të jetë pa tifozët shqiptarë.

Gjithashtu ai dha disa informacione për tifozët që do e shohin ndeshjen në stadium, që duhet të ikin më herët, pasi do ketë kontrolle më të shtuara.

Pjesë nga intervista:

Blendi: Po nxorën flakadanët prapë, çfarë rrezikojmë? Në qoftë se hedhim gjëra në fushë?

Genti: UEFA n’a ka dhënë një paralajmërim për fishekzjarrët që kemi hedhur në ndeshjen e fundit. Nuk n’a skualifikoi fushën, domethënë tifozët. Por jemi të paralajmëruar, nëse ndodh një gjë sot, në qoftë se hidhet një fishekzjarr në fushë, ne mund të dënohemi për ndeshjen tjetër. Ndeshja tjetër është me Ishujt Faroe, që do të thotë me stadium bosh. Pra në një atmosferë feste të kemi një stadium bosh.

Nallbani gjithashtu dha edhe disa informacione për tifozët që do të shkojnë të shikojnë ndeshjen në stadium.

“Duhet të vijnë pak më herët tifozët në stadium sepse do të ketë pak kontrolle edhe më të shtuara, për të hequr këto mundësitë e fishekzjarrëve”, tha kryeredaktori i “Procesit Sportiv”.