Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin për dy sfidat e radhës ndaj Republlikës Çeke dhe Bullgarisë.

Lojtarët e parë që iu bashkuan grupit të dielën pasi mbyllën impenjimet me klubet e tyre në fundjavë kanë qenë futbollistët Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Taulant Seferi, Nedim Bajrami dhe Federic Veseli.

Ndërkohë pritet që gjatë të hënës të mbërrijnë dhe pjesa tjetër e lojtarëve që janë ftuar për dy sfidat e tetorit, ku më e rëndësishmja është ajo me Çekinë, e vlefshme për Euro2024 që do të luhet më 12 tetor në arenën kombëtare në kryeqytet, pasi një fitore do e bënte më të lehtë rrugën drejt Gjermanisë.

Në këto dy ndeshje mungesë për teknikun Sylvinho do të jetë mbrojtësi Ardian Ismajli, i cili u paraqit në grumbullim por për shkak të një tërheqjeje muskulare në kofshë gjatë ndeshjes së fundit me Empolin, u detyrua të rikthehet në Itali për t’u rikuperuar. Kjo pasi dëmtimi nuk ia lejonte të angazhohej në fushën e lojës.

Me grupin e lojtarëve që ishin të pranishëm këtë të dielë trajneri brazilian i kombëtares zhvilloi dhe një seancë të lehtë stërvitore pa ngarkesa fizike. Të hënën kur dhe do të mblidhet i gjithë grupi, pritet tënisin dhe përgatitjet për duelin me Çekinë, por dhe për ndeshjen miqësore që Shqipëria do të luaj në Tiranë ndaj Bullgarisë më 17 tetor./ Top Channel