Thursday, April 25

“Njerëzit nuk kanë dashur kurrë që ne të jemi bashkë, por nuk ia dolën!”/Stresi flet për ribashkimin me Noizy-n!

I ftuar këtë episod të ‘Lancio’ ishte reperi i njohur Stresi. Gjatë muajve të fundit, emri i artistit ka qenë një kryefjalë në media pas eksperiencës dhe shpalljes si fitues i ‘Big Brother VIP Kosova’ dhe ribashkimit të tij pas më shumë se një dekade armiqësi me Noizy-n. Për të gjitha këto dhe detaje të tjera rreth jetës së tij private, Stresi jep një intervistë ekskluzive.

Si po shkon bashkëpunimi i parë dhe i vetëm deri më tani me Noizy-n që ‘vulosi’ dhe ribashkimin e miqësinë mes tyre?

Të them të drejten, jam interesuar duke pyetur dhe Noizy-n. Në Londër jemi numër 1 ‘trending’ prej tre ditësh dhe është shumë një këngë shqiptare të qëndrojë numër 1 ‘trending’ në Mbretërinë e Bashkuar. Kënga po ecën me ritmet e huaja, me thënë të drejtën e kemi pritur kështu. Çdo gjë ka qenë me paramendim, edhe shakaja që bëmë. 

Para publikimit të bashkëpunimit, Noizy dhe Stresi ishin kryefjalë e portaleve nga disa postime në rrjetet e tyre sociale ku dukej qartazi se ishin ‘thumba’ për njëri-tjetrin dhe ku gjithashtu nuk ndiqeshin më. Kjo situatë u komentua si një zënkë mes artistëve, por në fakt ishte e gjitha një ‘prank’ nga ana e tyre.

Ideja ishte e imja, i thashë Noizy-t që ta bëjmë. Mirë më tha, po para koncertit. Edhe na erdhi mundësia para se të nxirrnim këngën. Njerëzit që ne na besojnë dhe kanë parë sa e shëndetshme është si shoqëri, janë mërzitur shumë nga kjo shaka, njerëz që me të vërtetë i vlerësoj, kurse njerëzit që me padurim presin të zihemi, çfarë nuk thanë. Ne i shihnim dhe vetëm qeshnim.