Tuesday, May 21

“Dëgjuam të qarat…”/ Adoleshentja hedh në koshin e plehrave foshnjat binjake, denoncohet nga mamaja e saj

Policia ka arrestuar një 16-vjeçare nga Cleveland në SHBA, pasi dy foshnja të porsalindura u gjetën të vdekura në një kosh mbetjesh jashtë shtëpisë së saj.

Vajza e paidentifikuar do të paraqitet në gjykatë dhe përballet me nëntë akuza, duke përfshirë vrasjen, rrezikimin e fëmijëve, ndërhyrjen e provave dhe abuzimin e rëndë të një trupi.

Arrestimi erdhi pasi nëna e adoleshentes telefonoi policinë e Cleveland, për të raportuar se vajza e saj kishte lindur së fundmi dhe i kishte hedhur foshnjat në plehra.

Sipas njoftimit të policisë, ajo ka pohuar se nuk e dinte që vajza e saj ishte shtatzënë dhe se i kishte gjetur foshnjat kur hapi koshin.

Banorët në rrugën Ludloë në East Cleveland u thanë mediave lokale se kishin dëgjuar foshnja duke qarë gjatë mbrëmjes së 18 majit, kur dyshohet se lindën binjakët.

Nicole Shefton, e cila jeton pranë të dyshuarës adoleshente, tha se dëgjoi një fëmijë duke qarë rreth orës 17:30, por mendoi se zëri vinte nga brenda shtëpisë.

“E qara dëgjohej, por nuk na shkonte mendja se foshnjat ishin në kosh. Menduam se vinte nga shtëpia. Do të doja që ajo t’i kishte vënë ato në verandën time, por ne nuk e dimë historinë e saj. Nuk e dimë nëse e kapi paniku. Nuk dimë asgjë dhe nuk mund të supozojmë se i hodhi sepse nuk i donte”, shtoi Shefton.

Mike Norman nga Departamenti i Zjarrfikësve të Cleveland-it, pas ngjarjes paralajmëroi banorët e Cleveland-it se sipas ligjit të shtetit, ata kanë mënyra ligjore për të hequr dorë nga të porsalindurit nëse mendojnë se nuk mund t’i rrisin ata.

“Jemi këtu për të ndihmuar njerëzit në ditët më të këqija të jetës së tyre. Jemi të trajnuar për të pranuar foshnjën dhe për të organizuar transportin në objektin e kujdesit shëndetësor për nënën”, tha Norman për VKIC.

Sipas ligjit të Ohios, nëse prindërit mendojnë se nuk janë në gjendje të kujdesen për një të porsalindur, ata mund ta lënë atë në një strehë të sigurt lokale, pa ndëshkim, për sa kohë kjo bëhet brenda 30 ditëve nga lindja e fëmijës.

Ende nuk dihet shkaku i vdekjes së foshnjave, ndërsa policia nuk e ka bërë të ditur ende emrin e vajzës.