Thursday, April 25

“Me kallash rrugëve të Shkodrës”, si u kap 34-vjeçari që vrau kushëririn për qiranë në Shkodër

Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i 34-vjeçarit Lekë Vuksani, i cili ditën e djeshme ekzekutoi me kallashnikov kushëririn e tij Petrit Vuksani, pas sherrit për qiranë.

Forcat e policisë mundën ta lokalizonin dhe arrestonin autorin e krimit të rëndë mëngjesin e kësaj të mërkure.

Mësohet se për kapjen e 34-vjeçarit kanë dhënë dhe qytetarët, të cilët kanë informuar policinë për një person që qarkullonte i armatosur në rrugë të ndryshme të qytetit.

“Policia nuk e ka specifikuar vendin ku është arrestuar 34-vjeçari që vrau me armë kushëririn e tij. Gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme ka patur kontrolle të shtuara të policisë në disa lagje të qytetit të Shkodrës, ku dyshohej se ishte i fshehur shtetasi Lekë Vuksani dhe vetëm mëngjesin e sotëm u bë i mundur arrestimi i tij.

Në të gjithë qytetin e Shkodrës ka pasur postoblloqe të shtuara, por edhe patrullime nga ana e policisë, kryesisht në ambientet ku dyshohet se është parë shtetasi Lekë Vuksani.

Duhet thënë se autori ka lëvizur në këmbë dhe gjatë gjithë kohës ka patur me vete armën kallshnikov që kreu krimin. Kanë qenë shumë telefonata në drejtim të policisë që një person lëvizte me armë automatike.

Kjo ka bërë që policia të vihet në lëvizje dhe të bëjë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e autorit”, tha gazetari.