Friday, April 19

Real Madrid dhe Milan kualifikohen në gjysmëfinalen e Champions League

Real Madrid për të 32-tën herë në histori në një gjysmëfinale të UEFA Champions League. Skuadra e rekordeve, kampionët në fuqi respektojnë parashikimet dhe mbrojnë me sukses avantazhin e ndeshjes së parë duke imponuar ritmin edhe në fushën e Chelseat.

Braziliani Rodrygo ndiçoi mbrëmjen e madrilenëve në Londër me dy gola të shënuar në pjesën e dytë për ta mbyllur llogarinë totale të kësaj përballjeje në 4-0.

Mbyllet kështu përfundimisht aventura dhe praktikisht edhe sezoni për blutë e Londrës jashtë çdo kompeticioni dhe tashmë shtrohet rruga për “Los Blancos” që do të mësojnë nesër emrin e kundërshtarit të ardhshëm nga çifti Bayern Munchen-Manchester City.

Në këtë mënyrë, kampionët me shumë mundësi mund të sfidojnë ekipin e Pep Guardiolas sërish për të dytin vit rresht në gjysmëfinale ndërsa rrugëtimi është identik edhe përsa i përket çerekfinales pasi edhe sezonin e kaluar skuadra e Ancelottit kaloi Chelsean.

Milan barazoi 1-1 me Napolin në çerekfinalen e kthimit, duke u kualifikuar në gjysmëfinalet e Champions League, pas fitores 1-0 në San Siro.

Një aksion fantastik i Leaos, i cili dribloi tre mbrojtës dhe pasoi te Giroud, i cili shënoi me portën e boshatisur për të shënuar golin e vetëm për kuqezinjtë, vetëm disa minuta pasi kishte humbur një 11-metërsh.

Në pjesën e dytë, Napoli kishte mundësinë më të mirë për të barazuar rezultatin, por Kvaratskhelia nuk mposhti dot portierin kuqezi Maignan nga pika e bardhë e 11-metërshit. Barazimi për ekipin e drejtuar nga Spalleti erdhi vetëm në minutat shtesë, me anë të Osimhen.