Tuesday, April 16

Bllokohet furgoni me pako ushqimore të marra nga bashkia e Hasit, shoqërohen tre persona

Një grup personash bllokuan mbrëmë në qendër të qytetit të Hasit, një automjet furgon me drejtues B. M., me pretendimin se ishte i ngarkuar me pako me ndihma të cilat dyshonin se do të shpërndaheshin për llogari të një kandidati të një subjekti politik.

Policia e Hasit njofton se pasi kanë marrë kallëzim nga shtetasi M. D. (njëri nga personart që kishin bllokuar furgonin në qendër të qytetit), mbi pretendimin e tij, kanë njoftuar menjëherë Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, me qëllim marrjen e autorizimit për ushtrimin e kontrollit në këtë furgon.

Pas marrjes së autorizimit nga Prokuroria, shërbimet e Komisariatit të Policisë Has kanë shoqëruar menjëherë në ambientet e Komisariatit të Policisë, furgonin me targë AB 333 EC dhe në prezencë të oficerëve të Policisë Gjyqësore, drejtuesit të furgonit dhe palës kallëzuese, është ushtruar kontroll në brendësi të furgonit, ku janë konstatuar 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”, të cilat ishin ngarkuar në magazinën e bashkisë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi pakot e gjetura në furgon, shtetasit B. M., E. M (vëllezër) dhe Sh. M. (me detyrë magazinier i bashkisë), ndërsa vijojnë hetimet.

Materialet e para procedurale, me kërkesë të Prokurorisë, i kanë kaluar për vlerësim këtij institucioni./ Top Channel