Saturday, April 20

PD nis fushatën, Alibeaj: Partia Demokratike do të jetë më e fortë se kurrë

Partia Demokratike ka nisur sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Kryetari i komanduar i kësaj force politike, Enkelejd Alibeaj deklaroi gjatë një konference për mediat, se megjithëse këto zgjedhje janë të komplikuara, Partia Demokratike do të ngrihet më e fortë se më parë.

 

Alibeaj u shpreh i bindur se në të ardhmen, Partia Demokratike do të jetë alternativë qeverisëse për qytetarët.

“Megjithëse e pranoj që janë zgjedhje në kushte të komplikuara për Partinë Demokratike, për të gjithë kalvarin që Partia Demokratike ka kaluar vitin e kaluar, këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për shqiptarët. Ky është momenti për të bërë dallimin e madh. Janë të rëndësishme edhe për të ardhmen e Partisë Demokratike. Jemi këtu dhe marrim pjesë në këto zgjedhje, pikërisht për të vazhduar së pari, kauzat tona, kauzat e Partisë Demokratike, për të cilat kemi rezistuar gjatë kësaj kohe.

Falenderoj demokratët që i mbrojtën këto kauza me sakrifica. Falë rezistencës së tyre, Partia Demokratike do të ngrihet më e fortë se më parë sepse unë besoj se janë pikërisht këto vlera, është pikërisht kjo sakrificë, ato të cilat do të triumfojnë. Partia Demokratike, padyshim, e kam bindje këtë, do të jetë në të ardhmen alternativë qeverisëse, pavarësisht vështirësive që kemio kaluar tashmë”, theksoi ai.