Thursday, March 28

Ekuadori ‘zien’ nga mafia shqiptare, Dumani mblidhet me përfaqësuesit e Amerikës Latine në Buenos Aires, EUROJUST dhe EUROPOL vendosin ‘piketat’

Mafia shqiptare ka marrë një vëmendje të madhe në Ekuador dhe në çdo media të ndryshme raportohet për ndërhyrje të grupeve kriminale shqiptare në biznese të forta apo edhe në emërime të ndryshme në qeveri.

TIRANË– Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani dhe shefi i Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Arben Kraja kanë marrë pjesë në një takim në Buenos Aires, të organizuar nga Rrjeti kundër Drogës i Prokurorëve të Amerikës së Jugut, EUROJUST dhe EUROPOL. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se Pjesëmarrës në këtë takim kanë qenë përfaqësues të prokurorive homologe nga vendet e BE, Itali, Spanjë, Hollandë, Belgjikë, Gjermani dhe Portugali. Nuk munguan as përfaqësues nga prokuroritë homologe nga Amerika e Jugut, Argjentinë, Brazil, Ekuador, Kolumbi, Panama, Paraguaj dhe Kosta Rika, vende ku shqiptarët në vitet e fundit janë bërë protagonistë, kryesisht në Ekuador.

Në njoftimin për shtyp, bëhet me dije se qëllimi i organizimit të takimit ishte forcimi i koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet prokurorëve të Amerikës së Jugut dhe Europës, nëpërmjet vendosjes së kontakteve të drejtpërdrejta, krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore (JIT), përdorimi i metodave speciale të hetimit, me synim goditjen e organizatave dhe rrjeteve ndërkombëtare me risk të lartë të krimit të organizuar që merren me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Mafia shqiptare ka marrë një vëmendje të madhe në Ekuador dhe në çdo media të ndryshme raportohet për ndërhyrje të grupeve kriminale shqiptare në biznese të forta apo edhe në emërime të ndryshme në qeveri.

Së fundmi, disa audio-regjistrime të publikuara nga La Posta nxorrën në pah se Presidenti i Ekuadorit Guillermo Lasso rrezikon shkarkimin nga detyra, por edhe një gjyq politik të nisur ndaj tij, e gjitha për “faj” të bandave shqiptare. Kjo pasi, sipas përgjimeve, Lasso ishte në dijeni të raportimit për lidhjet e mafies shqiptare me rrethin e tij të ngushtë, kryesisht me kunatin e tij, pork a heshtur. Por, përfshirja e shqiptarëve nuk ndalet me kaq. Një ministër dha dorëheqjen pasi u zbulua se CV-në për të kandiduar për postin në fjalë e kishte dorëzuar në duart e grupit shqiptar dhe jo të vetë Presidentit.

Njoftimi mbi takimin:

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe Shefi i Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombetar morën pjesë në takimin e organizuar në Buenos Aires në datat 12 – 13 Prill 2023 nga Rrjeti kundër Drogës i Prokurorëve të Amerikës së Jugut, EUROJUST dhe EUROPOL, në kuadër të plaftormës EMPACT të Europol, prioriteti kundër rrjeteve kriminale ndërkombëtare me risk të lartë.

Në takimin koordinativ morën pjesë përfaqësues të prokurorive homologe nga vendet e BE, Itali, Spanjë, Hollandë, Belgjikë, Gjermani dhe Portugali, ashtu si dhe nga agjencitë e BE-së, EUROJUST dhe EUROPOL. Përfaqësues nga prokuroritë homologe nga Amerika e Jugut, Argjentinë, Brazil, Ekuador, Kolumbi, Panama, Paraguaj dhe Kosta Rika.Qëllimi i organizimit të takimit ishte forcimi i koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet prokurorëve të Amerikës së Jugut dhe Europës, nëpërmjet vendosjes së kontakteve të drejtpërdrejta, krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore (JIT), përdorimi i metodave speciale të hetimit, me synim goditjen e organizatave dhe rrjeteve ndërkombëtare me risk të lartë të krimit të organizuar qe merren me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të SPAK në këtë takim u mundësua nga projekti “Lufta kundër krimit të rëndë në Ballkanin Perëndimor”-IPA 2019. SPAK ka prioritet luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe në këto kushte pjesëmarrja në këtë takim ishte e një rëndësie të veçantë dhe shumë produktive.