Tuesday, May 21

Zgjedhjet/ Veliaj për opozitën: Sapo të mbarojë fushata ata do ‘çajnë ferrën’, e shohin Rrogozhinën si xhep ku futen njëherë në katër vjet për vota

Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj nga Rrogozhina, ku prezantoi kandidatët për Këshillin Bashkiak atje, tha se sapo të mbarojë fushata opozita do t’i braktisë qytetarët, siç kanë bërë gjithmonë.

“Do mbarojë fushata, do numërohen votat, do vijë fitorja jonë në të pesë bashkitë e qarkut, dhe ata ‘do çajnë ferrën’, do ikin siç kanë bërë gjithmonë. Kush janë deputetët e opozitës? Lista është proporcionale, ka pasur deputetë edhe Rrogozhina, edhe Kavaja. Kush janë? I keni parë më pasi mbaruan zgjedhjet? Etjeni është këtu, Shpati është këtu, e sigurt që edhe Edisoni është këtu çdo ditë me skuadrën e tij. Kjo është diferenca mes atyre që e duan votën për të bërë punë, jo për të bërë sherr. Në qoftë se një doktor, një elektricist, një inxhinier, një arkitekt, nuk e bën punën e tij për katër vjet, nuk ka fytyrë të dalë nga shtëpia, e jo më të kërkojë atë punë. Po të jesh politikan, mund të ikësh 4 vjet nga Parlamenti, sikur nuk ka ndodhur asgjë, vjen prapë, sikur nuk ka ndodhur asgjë, thua poshtë ky, poshtë ai, mallkuar ky, mallkuar ai dhe kërkon vota prapë. Ndërkohë, një anëtar i këshillit bashkiak ikën katër vjet, nga 2019-2023, nuk ndodh asgjë. Komplet të pacipë, dalin dhe bëjnë fjalime, thonë dua vota prapë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku ironizoi kundërshtarët politikë kur tha se e shohin Rrogozhinën si xhep ku duhet të futen njëherë në katër vjet për vota. Ai theksoi se Partia Socialiste do që bashkitë të jenë instrument për një bashkëpunim të shkëlqyer me qeverinë, për mbarëvajtjen e punëve të mira.

“Ne e shohim si një dashuri të madhe të çunave dhe gocave të këtij qyteti, që votën e duan si instrument për të bërë këto punë, për t’u siguruar që partneritetin me qeverinë ta përdorin për të bërë punë dhe jo për të hapur sherre apo për të krijuar hasmëri me qeverinë. Ne nuk jemi këtu se kemi inat dikë, nuk jemi këtu se duam të sherrosemi me dikë. Ne jemi këtu se duam Rrogozhinën, duam Tiranën, duam Shqipërinë, dhe duam që gjërat të bëhen më mirë, jo më keq, jo me sherr, por me punë”, vijoi më tej Veliaj.