Tuesday, April 23

Dokumente EKSKLUZIVE: Si i degradoi konçesionari asetet e shtetit

Në një tjetër korespondencë që Inside Story ka siguruar, zbulohet futja në port e një tjetër vinçi nga konçesinari që rrezikonte kalatat. Këtë herë, ka reaguar vetë ministri linjës në atë kohë Edmond Haxhinasto, përmes kësaj shkrese drejtuar administratorit të DCT në 3 Korrik 2014.

“Me sjelljen e vinçit MCH 5150, I cili nuk përmbush kushtet teknike të kalatës, ju kundërshtoni dhe vetë ofertën tuaj me të cilën jeni shpallur fitues. Si rrjedhim, Autoriteti Kontraktues, jo vetëm që nuk e ka miratuar sjelljen e vinçit MCH 5150, por ju ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme të përmbushni detyrimet kontraktuale për sa më sipër si dhe të jeni në përputhje me ofertën që keni paraqitur në garë”, citohet dokumenti i ish ministrit Emdond Haxhinasto për administratorin e kompanisë konçesionare në Terminalin e Kontejnerëve.

Kjo shkelje, përbënte arsye të fortë për ta klasifikuar si mospërmbushje të kontratës. “Durrës Cointainer” kishte detyrim blerjen e dy vincave për operimin e terminalit, por nuk e kishte përmbushur këtë kërkesë të parashikuar në nenin 3, pika C e kontratës konçesionare.

“Gjatë gjykimit rezultoi se pala e paditur nuk ka kryer asnjë investim për sa i përket vinçave pasi për dy vjet ajo ka operuar me marrjen me qira të vinçave MHC 200 dhe MHC 115 nga Autoriteti Portual Durrës duke mos kryer në këtë mënyrë detyrimin e saj për te investuar në blerjen e vinçave”, thuhet në vendimin e gjykatës që shbëri kontratën konçesionare në Terminalin e Kontejnerëve në Portin Durrës.

Ajo që është më e rëndë është dëmtimi i këtyre aseteve shtetërore të vëna në dispozicion. Në vendimin e gjykatës sqarohet se shfrytëzimi i tyre është bërë pa përmbushur kriteret e mirëmbajtjes.

“Konçesionari ka punuar për më shumë se 2 vjet që kur filloi zbatimi i kontratës konçensionare me vinçat e Autoritetit Portual Durrës, megjithëse gjatë periudhës së qirasë vinçat nuk janë mirëmbajtur si duhet madje kanë ndodhur difekte të rënda”, vijohet më tej në vendimin e gjykatës.

Si pasojë, avaritë kanë sjellë bllokime permanente të punës në të vetmin terminal kontejnerësh në Shqipëri. Në këtë dokument zyrtar zbulohet ndërprerja e punës në datën 4 tetor 2014 si pasojë e dëmtimit të vinçit MHC 200, pronë e shtetit por në përdorim nga privati.