Pas martesës, në jetën e Xhulietës nisën të ndodhnin gjëra të çuditshme. Prej kohësh ndihej e sëmurë, por mjekët nuk gjenin asnjë shkak. Po priste fëmijën e dytë kur mësoi se e kishte humbur tragjikisht ende pa e sjellë në jetë. Vjehrra e keqtrajtonte, bënte sjellje të pashpjegueshme gjatë debateve dhe jeta në çift nuk shkonte mirë.

Xhulieta tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se kishte gjithnjë një ndjesi mbytëse në shtëpi. Ajo ngrihej natën e tmerruar, ndërsa vjehrra mbante dritat ndezur dhe nuk mund të flinte.

Xhulieta: Unë kur flija në shtrat,  gjithë natën më mbyste diçka këtu në kraharor. Ngrihesha e tmerruar, e trembur, kishte diçka frymore në shtëpi që mua nuk më linte të jetoja e qetë. Ajo nuk fliste, vetëm rrinte kështu në divan gjithë ditën, pa bërë asgjë. Nuk mund të rrijë një njeri thashë në këtë moshë pa bërë asgjë. Ajo nuk flinte natën ose mbante dritën ndezur. Unë i thosha mami pse nuk fle natën, mban dritën ndezur, ke ndonjë shqetësim fizik? Ajo thoshte “nuk më lënë të fle, më mbysin frymët e liga”.

E vendosur për të zbuluar misterin, Xhulieta nisi të kërkonte përgjigje, e papërgatitur për atë që do të mësonte.

Xhulieta: Mbante gjithmonë në dollap një çantë të zezë me kyç. Thosha mami çfarë ka këtu benda? “Janë kujtimet e nënës time” thoshte, “mos e prek me dorë”. U bëra kurioze se isha keq, keq, keq, nuk po arrija dot të kaloja as ujin më.

Ardit Gjebrea: Ti veçse sëmureshe.

Xhulieta: Sëmuresha, erdhën familjarët, ishte e pamundur. Babi kishte marrë vesh edhe nga disa pjesëtarë të lagjes që kjo i bënte magji gjithë lagjes së vet. Thanë “ku e ke dhënë gocën?” Tha “e kam dhënë te filania, po çfarë ke bërë kështu? Ajo krejt lagjes i bën magji, goca jote është në rrezik. Asaj edhe burri i është zhdukur, nuk i është gjetur më”. Kur unë jam fejuar, vjehrri im doli nga shtëpia, s’u kthye më. U fillua me një tragjedi, nuk u gjet kurrë trupi i tij, asnjëherë.

Ardit Gjebrea: Më thuaj pak e hape çantën?

Xhulieta: E hapa çantën, kur ajo ishte në banjë gjeta forcën sepse e kuptova që kishte diçka. E kam mbylur me çelës derisa unë të kryeja ato që doja të bëja. Ishte me kyç dhe nuk dija si, mirëpo çanta ishte rrobe dhe e kam grisur me gërshërë, e kam hapur. Unë nuk e di, jam tmerruar. Atje kishte flokë, kishte thonj, kishte gjëra të shpifura. Unë e kam marrë, kam lajmëruar menjëherë vëllezërit, ka ardhur edhe vëllai e ka parë. Ajo është dridhur si një tërmet që “pse m’i preke gjërat e mia?” I thashë ky është zanati yt? Ja pse ty po të vdesin njerëzit, ja pse po të ndahen nuset sepse ti u bën keq pjesëtarëve të familjes, imagjino pjesëtarëve të tjerë që jetojnë në lagje. A do që unë të vdes, se gocën ma vdiqe, burrin ma sëmure, mua më sëmure, a do që mua të më mbyllin në psikiatri?

Ardit Gjebrea: Çfarë tha?

Xhulieta: Tha “e di ti që për çfarë të ka marrë djali im?” Për çfarë më ka marrë i thashë, për të krijuar familje. “Mua më do si nënë, ndërsa ty të do veç për shtrat”, tha dhe pastaj unë e kam lënë, e kam prishur martesën.  Ai ka marrë nënën e vet, unë kam marrë djalin tim, unë i kam dalë për zot jetës time dhe ai është akoma atje ku e kam lënë./tvklan.al