Monday, April 29

“Nuk doja të jetoja më, shkova afër liqenit”, telefonata që i riktheu shpresën Dilës

Dila ka lindur në një fshat të thellë malor në Lezhë në një familje të madhe me 3 vëllezër e 2 motra. Ajo kujton në  “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan jetën e vështirë të fshatit, nënën që i dërgonte fëmijët në shkollë duke i mbajtur në shpinë sepse rruga zgjaste një orë në këmbë. Këtë realitet Dila do ta jetonte edhe vetë pas martesës kur nga bjeshka shkoi në bjeshkë dhe u bë nënë e 4 vajzave.

Vajza e madhe dëshironte shumë të shkollohej dhe mundësia e vetme ishte që të qëndronte te vëllai i vogël i Dilës, shtëpia e të cilit ndodhej më afër me shkollën ku qëndroi për tre vjet. E njëjta gjë u përsërit edhe me vajzën e dytë. Për t’iu ofruar një mundësi më të mirë fëmijëve, Dila dhe bashkëshorti u shpërngulën në një shtëpi me qira në Vaun e Dejës, ndërsa vajza e madhe u zhvendos në Tiranë ku e përballonte e vetme jetesën.

Për Dilën nuk ishte e lehtë të përballonte qiranë, bashkëshorti kishte mbetur pa punë ndërsa vajza e madhe pësoi një incident dhe theu këmbën. Dila kishte mbetur në një situatë ku ndihej e pashpresë dhe e pamundur për të bërë diçka dhe vendosi të shkonte pranë një liqeni.


Dila: Erdhi një moment, nuk e di, bllokohesh, nuk do të jetosh se iku e kur u çua me paterica, s’isha e aftë ta ndihmoja, u bllokova dhe kam ardhur avash-avash, i kam menduar të gjitha mendimet që kisha vuajtur dhe thashë nuk jam e aftë ta ndihmoj, mos të shoh më, s’mund të duroj më. Avash-avash shkova afër një liqeni po duke qarë aq shumë sa nuk e ke idenë. Isha mbushur. Papritur më ra zilja e telefonit.  Kur shikoj, Artur Ndreu se ashtu e kam. U mundova ta ndalja atë zërin që mos ta kuptonte. Tha “çfarë ke motrushe”, i thashë asgjë. “Jo, unë e di që diçka e ke ti”, tha. i thashë jo more vëlla po hallet kështu, tha “ah moj motër, mos rri duke u mërzitur e duke u stresuar, futi një vallëzim trurit”. Në moment kam qeshur, aq shumë qava por në moment kam qeshur. Nga vështrimi i atij liqenit që isha, e ktheva kokën gjatë rrugës nga shtëpia, duke folur, filloi duke më treguar se çfarë ka bërë se unë nuk e dija, ai kishte ndihmuar edhe të tjerë. “Ti je gjëja më e vogël për të të ndihmuar, sa  të më kesh mua mos e vrit mendjen hiç fare”,  tha. Mirë fillova duke qeshur, thashë ky është engjëll mbrojtës për mua.

Ardit Gjebrea: Vajzat e dinë këtë histori apo e dëgjojnë sot për herë të parë? 

Dila: Për herë të  parë por unë dua t’u kërkoj falje sepse po mos të ky vëlla për të më thirrur, ato ishin…

Ardit Gjebrea: Do kishte ndodhur hataja.

Dila: Po. E falenderoj Zotin që ma ka falur, unë i kam edhe ata dy vëllezërit e tjerë, të martuar janë, edhe ata komunikojnë me mua por kanë hallet e veta, punët e veta po y, sikur e kam rënduar shumë, kaq shumë e kam rënduar sa kam frikë ta thërras pa më thirrur ai që të vijë e të më ndihmojë.

I shpëtoi jetën motrës pa e ditur, vëllai mëson historinë për herë të parë: Kam bërë atë që duhet!

Dila është vajza e madhe në familjen e saj, por lidhjen më të veçantë duket se e ka me vëllain e vogël,  Arturin.  Në rrëfimin e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ajo tregoi për të gjithë mbështetjen dhe ndihmën që ka marrë prej tij në situata të vështira dhe për kurajën që ia ka dhënë pa e ditur në një moment shumë kritik. Për këtë arsye ajo e ka ftuar në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Arturi e ka pranuar ftesën dhe emocionohet kur sheh se pas ekranit, është motra e madhe. Ai flet me admirim shumë të madh për të dhe mendon se nuk ka bërë asgjë më shumë nga ç’duhet të bëjë një vëlla. Sot ai dëgjon për herë të parë episodin e errët të Dilës dhe si e ka shpëtuar vetëm përmes një telefonate.


Artur: Kjo është motra ime Ardit, motra e madhe me të vërtetë unë i dua të gjithë  si motra, si vëllezër, unë i dua të gjithë njësoj ama këtë e kam dashur me të vërtetë, e ke parasysh se ka qenë… na ka rritur, me mundime me halle, kjo ka qenë dikur nënë e dytë për ne dhe e falenderoj jashtëzakonisht shumë. unë kam bërë ato për shembull, siç mund të bëjë çdo vëlla për motrën e vet edhe… por këtë gjë… nuk e di çfarë të them, nuk e prisja dot, me të vërtetë.

Ardit Gjebrea: Ajo na tregoi se si ti je kujdesur për të gjithë familjen, se si ke mbajtur dy vazjat e saj në shtëpi që ato të vazhdonin shkollën, i ke mbajtur 3 vite në shtëpi. Ti sa fëmijë ke vetë?

Artur: Unë kam 3 fëmijë, kam një vajzë dhe dy djem.

Ardit Gjebrea: Okej po në një moment prapë, të sjellësh dy fëmijët e motrës, nusja ka patur ndonjë moment që të ketë thënë “ore Artur, po nuk është një çikë si shumë apo jo?”

Artur: Ardit me të vërtetë unë kam pasur një mbështetje të madhe nga nusja dhe kurrë nuk kam dëgjaur një fjalë të atillë që të më thojë që “është peshë e rëndë”, që të më thojë “pse po i mban” apo diçka, madje përkundrazi ka qenë ajo mbështetja që mundohej edhe t’i edukonte sadopak sepse ishin fëmijë. Unë kam bërë atë që duhet të bëjë një vëlla për motrën.

Ardit Gjebrea: Ka qenë një ditë kur motra e mërzitur nga gjithë hallet që kishte, merr rrugën drejt liqenit dhe nuk e dinë as fëmijët, askush dhe vendosi që ta tregonte sot këtë histori dhe të të ftonte këtu. Në një moment duke bërë atë veprim që nuk duhet bërë sepse vetëm Zoti na e merr jetën, ai na e jep dhe ai na e merr, ti i bie telefonit dhe i thua “motrushe si je?” Ajo mundohet që ta fshehë dëshpërimin që ka por ti e kupton dhe i thua një frazë, “futi një vallëzim trurit dhe lëri problemet se do t’i zgjidhim bashkë” dhe ajo siç ishte përballë liqenit, kthehet dhe niset drejt shtëpisë.

Artur: Të them të drejtën, unë me të vërtetë, gjithmonë që e kam marrë në telefon, e dalloja gjithmonë nga zëri që ka një hall, problem ose diçka të atillë. Halle e probleme kemi të gjithë Ardit, por kjo është diçka që robi ka mundësi që t’i japë një kënaqësi atij tjetrit dhe në një moment kur është në momente të vështira, thjesht mund t’i japë diçka, një mendim ose diçka që robi të relaksohet nga truri. Kjo gjithmonë e mërzitur ka qenë, ka një  familje të mrekullueshme, ka 4 vajza të mrekulleshme por e kam pasur si shpirt, gjithmonë e kam dashur fort dhe gjithmonë i rrija gati, e merrja gjithmonë në telefon, nuk kalonin 2-3 ditë pa i marrë në telefon se e dija që mërzitej me diçka apo një tjetër, normale, njerëz jemi, hallet  e problemet.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë ajo thotë edhe fjalën tjetër, “e kam rënduar shumë”.

Artur: Ah, jo! Jo, me të vërtetë mua s’më ka rënduar kurrë, asnjëherë madje kam qenë shumë i gëzuar që të të marrë motra, ku ka, ku të rëndon motra, e vetmja gjë që…

/tvklan.al