Monday, April 29

Vetëvrasja e Sibelës/ Altin Çoku para gjykatës: Ha bukë me TikTok-un, foton e nxorri …


“Jam arrestuar në mënyrë të paligjshme sepse dihet kush e ka bërë”

39-vjeçari Altin Çoku ka dalë këtë të enjte para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë, i cili u arrestua pas vetëvrasjes së 27-vjeçares Sibela Abedinit, e cila u hodh nga tarraca e katit të katërt të pallatit ku banonte me qira. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të 10 shkurtit, në rrugën “Teuta” në Kamëz.

Nga hetimet e autoriteteve ka rezultuar se e reja e ka ndërmarrë aktin ekstrem, pasi i kishin shpërndarë një foto intime në rrjetin social Tik Tok. Policia vuri në pranga 39-vjeçarin Altin Çoku, si personin përgjegjës për shpërndarjen e asaj fotoje. Mbi të rëndon akuza për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Altin Çoku ka dëshmuar para Gjykatës se rrjetin social Tik Tok nuk e përdor për gjëra të këqija, por “ha bukë me të si gjithë të tjerët”.

“Jam arrestuar në mënyrë të paligjshme sepse dihet kush e ka bërë. Foton e ka nxjerrë shtetasi A.H. Jam përdorues i Tik Tok si gjithë të tjerët. Nuk e përdor për gjëra të këqija, ha bukë me të si gjithë të tjerët”

Fillimisht autoritetet raportuan se e reja ishte rrëzuar nga tarraca e ballkonit, por më pas rezultoi se ngjarja nuk ishte aksidentale, por e nxitur pikërisht nga 39-vjeçari.

Policia e ka zbardhur ngjarjen pas dëshmive të familjarëve dhe kqyrjes së telefonit të viktimës. E ndjera i kishte kërkuar disa herë që të fshinte foton nga rrjeti social, por 39-vjeçari herë pretendonte se nuk e kishte publikuar vetë, ndërsa herë të tjera i kërkonte të vijonin lidhjen.

27-vjeçarja ka qenë e martuar me një shqiptar të Kosovës, me të cilin ka patur dhe një vajzë 2 vjeçe dhe ishte në proces divorci. Vajza jetonte me të atin. Gjatë kësaj kohe, ajo ishte njohur me Altin Çokun.

39-vjeçari është me precedent penal. Para më shumë se 15 vitesh, Altin Çoku kishte krijuar një lidhje intime me një vajzë 18-vjeçare, që ishte kushërira e tij e afërt, konkretisht vajza e dajës. Në vitin 2009, Çoku ishte njohur me një vajzë tjetër me të cilën kishte krijuar lidhje. Pas këtij momenti, kushërira e tij 18-vjeçare i dha fund marrëdhënies me të, por Altin Çoku insistonte që të vazhdonin lidhjen, madje duke e kërcënuar se do t’i bënte keq asaj dhe vëllait të vogël 15-vjeçar, që ishte djali i tij i dajës.

Deri sa në vitin 2010, Altin Çoku kreu një krim monstruoz, duke tentuar të digjte të gjallë djalin e mitur të dajës së tij dhe të detyronte vajzën e dajës së tij për të vijuar lidhjen seksuale që kishte patur me të më herët. Për ta detyruar këtë të fundit të qëndronte në lidhje i kishte vënë flakën kushëririt të tij, i cili ishte vëllai i mitur i vajzës së dajës.

Gjithashtu, Altin Çoku rezulton i dënuar nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2015, pasi kërcënoi me jetë mjekun e tij psikiatër G.S. në vitin 2014. Çoku ishte pacient i G. Z. i cili shërbente si mjek neuro-psikiatër pranë spitalit të Laçit , ndërsa i akuzuari kishte probleme shëndetësore. Altin Çoku, sipas dosjes, i ka kërkuar mjekut G. S. disa herë para, në mënyrë verbale, me anë të telefonit, mesazheve telefonike dhe me anë të letrave të shkruara.

Në muajin qershor të vitit 2014, i Altin Çoku i ka shkuar në zyrë dhe i ka kërkuar lekë për të mjekuar vajzën e tij dhe për t’ia dhënë avokatit për një çështje që kishte. Disa herë Altini ka i kërkuar para mjekut, edhe nëpërmjet mesazheve telefonike. Kallëzuesi në deklarimet tij sqaron se Çoku i ka dhënë në mënyrë të vazhdueshme lekë në sasi të ndryshme, në një vlerë totale prej 4 mijë eurosh, i detyruar për shkak të kërcënimeve.