Saturday, April 27

Atentati te Top Channel/ Një person eci në këmbë dhe njoftoi autorët, ata qëlluan pasi gazetarët u larguan nga godina

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me sulmin e armatosur që ndodhi mesnatën e kaluar te Top Channel.

Ka dyshime se në sulmin ku mbeti i vrarë 60-vjeçari Pal Kola kanë marrë pjesë 5 persona. Hetuesit kanë zbuluar se mjeti tip “Range Rover” i përdorur nga atentatorët ka ardhur drejt godinës së televizionit nga rruga e Mëzezit.

Ndërkohë që një person ka ecur në këmbë dhe ka sinjalizuar autorët për momentin e duhur të sulmit, i cili ka ndodhur 10 minuta pasi gazetarët e fundit janë larguar nga godina e medias në orën 00:30.

Personi që ka ecur në këmbë pasi ka studiuar terrenin ka sinjalizuar atentatorët. Më pas ai është larguar me mjetin e tij që e kishte parkuar pranë vendngjarjes.

Nga ana tjetër në “Range Rover” udhëtonin 3 persona, ku 2 prej tyre hapën zjarr në drejtim të godinës së Top Channel. Menjëherë pas kësaj ata janë larguar drejt autostradës Tiranë-Durrës. Në Golem autorët kanë djegur makinën e përdorur në sulm dhe më pas janë larguar me një BMW dhe një Audi, dyshohet në drejtim të Vlorës.