Thursday, April 25

Banorët e Bërxullës, akuza qeverisë: Balluku e pafytyrë, Rama nuk zbret nga kali, ku të gjejmë shpëtim ne?!

Banorët e Bërxullës protestuan edhe dje për të kundërshtuar projektin ThumanëKashar. Për më shumë se një orë ata bllokuan rrugën, ndërkohë që i kanë bërë thirrje qeverisë që të marrë masa për të plotësuar kërkesat e tyre, në të kundërt protesta do të përshkallëzojë.

Një prej banorëve në këtë protestë kishte marrë dhe një shishe benzinë me vete për t’u vetëflijuar, por në momentin që e nxori atë, një prej efektivëve ia ka marrë nga dora me shpejtësi. Nuk kanë munguar akuzat ndaj kreut të qeverisë dhe ministres Belinda Balluku ndaj injorimit që po u bëjnë atyre në të gjashtin muaj me radhë. Banorët bënë me dije se nuk kanë për ta falur tokën e tyre, pasi është e vetmja mënyrë jetese, ndërkohë që protestat e tyre do të intensifikohen. Sot, ata deklaruan se do të dalin sërish duke bllokuar rrugën, sa problemi i tyre të marrë zgjidhje.

PROTESTA

Përveç kompanisë që ka shfrytëzuar të gjitha mënyrat për të vijuar punën, asnjë reagim nga ana e qeverisë. Dhe kjo duket se i vret më shumë banorët, injorimi i qeverisë. “Belinda Balluku nuk reagon fare. Çfarë pret ajo, çfarë i kushton të sjellë një përfaqësues? Ta anulojnë rrugën, këta s’kanë virtyt njerëzor. Edhe atë post që kanë marrë, nuk e bëjnë dot. Belinda Balluku ka kapur majat, por do hidhet, ka për ta hedhur Zoti. Është edhe nënë, e pafytyrë”, shprehet një banor, ndërkohë që një tjetër drejton gishtin e akuzës nga Kryeministri në pushtet dhe nuk ngurron ta krahasojë me paraardhësin e tij. “Edi Rama para ca ditësh shkoi në Angli për të kërkuar zgjidhje tek anglezi. Shqiptarët i ka masakruar. Ky shet është vetëm për të vjedhur. Ku janë Edi Rama, Belinda Balluku dhe Ervis Berberi?! Turp të kenë, çfarë qeveritarësh kemi ne. Turp për këta ministra dhe këta qeveri. Me votat e popullit ka ardhur Edi Rama, dikur thoshte Berisha nuk zbriste nga kali, tani është Rama që nuk zbret nga kali”

Të ulur në rrugë, banorët thanë se do të përshkallëzojnë protestën e tyre ditët në vijim, duke bllokuar rrugën me orë të tëra dhe se nuk do të tërhiqen nga vendimi për të mos e lëshuar pronën pa një kompromis.

“Do të përshkallëzojmë protestën. Do rrimë deri 48 orë pa lëvizur nga rruga. Do ta bllokojmë rrugën. Rrugë alternative i kanë. Shteti ka bllokuar BERZH-in për të dëmshpërblyer pronat. Duhet të dini një gjë. Kjo rrugë që shikoni ju, bllokon 100 mijë banorë. Këtu po bëhet një masakër. Nuk ka qeveri ta marrë vesh. Është zhvilluar nga studio e Italisë pa e parë askush në terren. Të paktën një dron të kishin ngritur për ta studiuar. Kjo rrugë as Shqipërisë nuk i shërben. I shërben botës dhe Europës që duan të kalojnë. Bota të gjejë zgjidhje. Ambasada amerikane i ka parë. Janë në dijeni të protestës sonë prej 6 muajsh dhe asnjë nuk merr kurajën”, thanë banorët.

INCIDENTI

Një incident ka ndodhur gjatë protestës së 26 marsit. Ashtu siç paralajmëroi javën e shkuar, një prej protestuesve ka nxjerrë një shishe benzine në protestë, por menjëherë një efektiv ia ka hequr nga dora. Më pas ai ka deklaruar se u ka dhënë besën vajzave që ka jashtë se është krim që të vrasësh veten për këtë shtet. Po ashtu ai ka theksuar se do t’i drejtohen Strasburgut. “Racë më e poshtër nuk ka. Ky është ai që vret. Ky të merr pronën. Nuk lë gjë pa bërë. Zoti e ka bërë këtë muaj. Por këto nuk duan asgjë. Ky popull është i gjithi në agjërim, përveç atyre që janë sëmurë. Shtetit po ia numërojnë përditë për këtë masakër që bën. Ku është Prokuroria, Gjykata, SPAKu?! Tallen atje në karrige. Radhën tjetër thashë do flijoj veten. Sot nuk e bëj. U kam dhënë besën vajzave të mia në Itali. Është krim të vrasësh veten për këta. Por të detyrojnë duke u tallur me popullin. Nuk është dhënë as dëmshpërblimi i asaj rruge. Të kesh turpin më të madh. Ja vëllezër, shikoni se çfarë bëhet. Të bësh masakër, nuk ke ç’e do jetën. Nuk thotë kush hajde flasim. Nuk ka më keq më. O vëllezër, o motra, le të na vrasin. Ne do ta ndjekim rrugën tonë ligjore. Do t’i drejtohemi Strasburgut”, u shpreh ai. Prej 6 muajsh, banorët e dhjetëra shtëpive e tokave që preken nga ndërtimi i aksit Thumanë-Kashar protestojnë duke bërë disa kërkesa në drejtim të institucioneve për shpronësimin e drejtë. Ata kanë deklaruar se nuk do lejojnë punimet pa parë dokumentacionin dhe se do përshkallëzojnë protestat.