Friday, July 19

Përplasje e fortë mes Anila Hoxhës dhe Arjan Çanit në “Top Story”: Ahuuu, pse unë do e zgjidh SPAK-un?

Hetimi i SPAK për ish-kryeministrin Arben Ahmetaj nxiti një debat të ashpër këtë mbrëmje mes gazetares Anila Hoxha dhe analistit Arjan Çani në studion e “Top Story”.

Pyetja se përse Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion nuk ka treguar për opinionin publik nëse janë vërtetuar pagesat e ish-ministrit të Financave, përplasi Hoxhën me Çanin.

Hoxha: Kemi dy vite për një pagesë që nuk e thotë. A pagoi apo jo?

Çani: Nuk do t’ua thotë o vëlla. Sepse koha e drejtësisë, nuk është koha e gazetarisë, as e politikës. Drejtësia ka një kohë tjetër.

Hoxha: Më falni, por periudha e hetimit ka një afat. Edhe koha e hetimit ka afate.

Çani: Anila, të lutem më thuaj kur e ka kaluar aftin pra.

Hoxha: Ka dy vite

Çani: Kjo mund të vazhdojë 10 vite moj

Hoxha: A mund të them diçka…

Çani: Moj Anila, me kë po flet?

Hoxha: E di pse e ndau çështjen e inceneratorit të Elbasanit që u bë kjo bujë e madhe?

Çani: Çfarë do të thuash me këtë? Po thua që SPAK është për ta lehtësuar apo për ta rënduar Arben Ahmetajn?

Hoxha: Unë po të them, me prova, në këndvështrimin tim që raportoj çdo ditë nga SPAK, mund të them që SPAK aktualisht nuk po e bën punën si duhet dhe pikë.

Çani: Kujt po i intereson tani! Nuk po e bën SPAK punën si duhet, ahuu…

Hoxha: Si kujt i intereson?! A ka pritshmëri?

Çani: Unë s’jam kontrollor i shtetit, që kontrolloj apo e bëjnë punën apo jo, pse unë do e zgjidh këtë punë?

Hoxha: U nda një fraksion për inceneratorin? Pse duhet të ndahej çështja e Elbasanit? Ja pra, ndahet 2771/1. Përse nuk kemi ende ne sot një rezultat?

Çani: Unë po të pyes ty si gazetare e kronikës që je…

Hoxha: Fakti që SPAK nuk ka një vendimmarrje, do të thotë që SPAK për një individ me pushtet, është shumë i kujdesshëm për garancitë kushtetuese

Çani: Po kjo nuk diskutohet

Hoxha: Epo kjo nuk është normale

Çani: Kush të tha ty që duhet të jetë normale

Hoxha: Nuk është normale sepse ligji teorikisht është i barabartë vetëm për ne të tjerët, për çdo qytetar tjetër.

Çani: Edhe njerëzit nuk janë naiv. E dinë që ca janë të privilegjuar, ca të tjerë jo.

Hoxha: Për çfarë u ngrit SPAK? Unë kam pyetjen tjetër pastaj koleg: për çfarë u ngrit SPAK?

Çani: Nuk e bën dot Anila këtë bisedë

Hoxha: Po për çfarë u ngrit SPAK?!

Çani: Nuk e bën dot bisedën! Po flet sikur je zyrtare. Gazetarët mundohen të thonë atë që nuk thonë të tjerët

Hoxha: Këtë po të them pra! Në dhjetor 2022, SPAK ndau në fraksion çështjen e Arben Ahmetajt. Nuk kanë pasur asnjë rrethanë për ta ndarë.

Ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj zyrtarisht është nën hetim nga SPAK për 4 akuza. Prokuroria e posaçme po e heton Ahmetajn për veprat penale që i përkasin dy procedimeve penale, të cilat janë bashkuar në një të vetëm.

Për çështjen e koncesionit për inceneratorin e Elbasanit Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre. Ndërsa për një tjetër kallëzim për pasurinë e tij ai po hetohet për “pastrim të parave”, “korrupsionit” dhe “fshehja e pasurisë”.

Hetimet për Ahmetajn kanë nisur që në 19 shtator të vitit të kaluar por ankimimi i kryer në gjykatë nga mbrojtësit e tij për kontrollet e ushtruara në banesat e tij dhe të bashkëjetueses më 8 mars faktoi bashkimin e 2 procedimeve dhe hetimin e tij për 4 vepra penale./ Top Channel