Monday, May 6

Vrasja në burgun e Peqinit, policia shkon me urgjencë në banesën e Sokol Mjacajt në Dukagjin dhe…

Një vrasje ka tronditur burgun e Peqinit dy ditë më parë, ku i dënuari me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj vrau Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan.

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja ku mësohet se Sokol Mjacajt i është sekuestruar një celular rreth 3 muaj më parë nga kontrollet e ushtruara në burgun e Peqinit. I njëjti aparat celular pritet t’i nënshtrohet një ekspertize të plotë për të gjurmuar telefonatat e tij me persona me rekorde kriminale jashtë qelive të burgut. Sipas burimeve hetuesit shpresojnë se aty mund të gjejnë materiale dhe biseda, të cilat do të japin drejtim në hetime.

Në përpjekje për të zbuluar më shumë janë kryer kontrolle në banesën e Sokol Mjacajt dhe vëllait të tij në Dukagjin. Hetuesit kanë marrë në pyetje edhe 12 personat e tjerë të arrestuar për shpërdorim detyre, mes tyre drejtori i burgut Kamber Hoxha dhe funksionarët e tjerë. Ata kanë shpjeguar vetëm për rolin e pozicionit të tyre në punë, pa dhënë shpjegime të mëtejshme.

Pasi Sokol Mjacaj kreu vrasjen dhe nisi të kërcënojë të tjerët se do i vriste, moment kur edhe ka kërkuar drejtorin e burgut për të negociuar, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se një pjesë e të burgosurve kanë tentuar ta neutralizojnë.

Pas dorëzimit përmes negociatave për sigurimin e jetës ka rezultuar se në pistoletën e tij nuk kishte më plumba dhe rrjedhimisht presioni dhe kërcënimet kanë qenë me pistoletë bosh.