Monday, May 6

“Arma mund të jetë futur dorazi”/ Karamuço: Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve negocioi me të pa jelek antiplumb

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka komentuar ditën e sotme ngjarjen e rëndë të ndodhur në burgun e Peqinit, ku mbeti i vrarë Arben Lleshi dhe i plagosur Indrit Shaqja.

Sipas ekspertit, është e pamundur që autori Sokol Mjacaj ta ketë siguruar armën e zjarrit nëpërmjet dronit por mund ta ketë marrë dorazi. Sipas tij, dyshimet janë që ai mund të ketë pasur edhe telefon në qeli.

“E para mund ta çosh tek dritarja. E dyta, duhet të dalë në ajrim për ta marrë. Ka edhe roje në këto godina. Ka edhe policë në korridor dhe e ka pasur të pamundur t’i futet me dron. E vetmja mundësi është që të futet dorazi nga një tjetër në qelinë e tij”, tha Karamuço.

Ai gjithashtu theksoi se autori ka kërkuar që të flasë me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve dhe ku i fundit negociuar pa jelek antiplumb.

“Megjithëse ka ardhur RENEA, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka hyrë vetë pa antiplumb. Mjacja ka thënë se flas vetëm me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve. Ka negociuar, ka dorëzuar armën dhe është shoqëruar në Elbasan. E kam profilizuar atë person, është tip reaktiv, impulsiv, agresiv, përdorur nga shumë grupe kriminale brenda burgjeve dhe si duket e kanë shfrytëzuar edhe në këtë rast. Përveçse mund të ketë pasur edhe telefon se kjo nuk bëhet me copa letrash. Ka fituar një status, është atashuar në një grup kriminal dhe pastaj ka marrë porosi.”, theksoi eksperti.