Saturday, July 27

Dhuna e denoncuar në “Stop” në kopshtin “Stinët”, Ministria: Ishte i palicensuar. Merret në pyetje edukatorja

Edukatorja e kopshtit jo publik “Stinët” që dhunoi të miturën 3 vjeçare, është marre në pyetje nga policia.

Menjëherë pas publikimit të pamjeve të paprecedenta të dhunës nga emisioni “Stop” në TV Klan policia nisi verifikimin e rastit ndërsa shpalli në kërkim për ta marrë në pyetje edukatoren që ka dhunuar fëmijën.

Ndërkohë që mesditën e së martës ajo është paraqitur vetë në komisariat për të dhënë shpjegime, ndërsa policia ende nuk ka dalë me një urdhër-arresti, pasi kërkon që më parë të verifikojë të dhënat.

Kopshti këtë të martë i kishte mbyllur dyert, ndonëse prindërit, pranojnë që edukatorja është paraqitur në mëngjes pranë tij për të vazhduar rutinën e saj si normalisht.

Në terren, zbriti dhe një ekip i Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, për të bërë auditin e kushteve që ka operuar Kopshti, edhe pse nuk u pritën nga askush.

Ministria e Arsimit, pas rastit në fjalë ka reaguar, duke u shprehur se nuk do të tolerojë asnjë formë të dhunës ndaj fëmijëve në ambientet arsimore, publike apo private, ndërsa ka konfirmuar se institucion edukimi funksiononte pa licencë.

“Ministria e Arsimit nuk toleron asnjë formë të dhunës ndaj fëmijëve në ambientet arsimore, publike apo private. MAS ka ngritur menjëherë Task-Forcën institucionale për verifikimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në shërbimet për fëmijët, në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe Policinë e Shtetit”.

Nisur pikërisht nga ky rast Ministria bën të ditur se ka ngritur një Task Forcë për të verifikuar të gjithë ligjshmërinë e subjekteve që ushtrojnë aktivitete në shërbim të fëmijëve.

Ndërkohë që gjatë këtij viti vetëm 3 kopshte jo publike janë pajisur me licencë.

Dhuna e pa mëshirshme ndaj 3-vjeçares, e la atë me këmbë të thyer, ndërsa ishte nëna e të miturës që vendosi ta denoncojë dhe ta bëjë publike këtë ngjarje të rëndë.

Për rastin e denoncuar nga emisioni “Stop” kanë reaguar edhe qytetarët të cilët kanë lajmëruar për organizimin e një proteste që pritet të nisë në orën 16:00 para godinës së kopshtit në rrugën Kushtrimi i Lirisë.

Tv Klan