Thursday, April 25

Shtohen tensionet?! NATO dhe Rusia nisin stërvitjet ushtarake fare pranë njëra-tjetrës

Rusia deklaroi të hënën se ka nisur stërvitjen ushtarake detare në Detin Baltik, një ditë pasi shtetet anëtare të NATO-s nisën të bënin të njëjtën gjë, në të njëjtën zonë.

Sipas Marinës Amerikane, NATO ka angazhuar për këtë stërvitje të madhe ushtarake 6000 ushtarë, 50 anije dhe më shumë se 45 avionë e helikopterë. Në këtë stërvitje merr pjesë për herë të parë edhe Finlanda, që kur u zyrtarizua si shtet anëtar.

Gjithashtu, në të marrin pjesë edhe anije gjermane, holandeze, portugeze e spanjolle. Komanda e grupit të përgjigjes detare ndryshon me rotacion mes shteteve pjesëmarrëse dhe fillimisht mbahet nga Gjermania.

Disa kilometra më në veri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar aeroplanmbajtësen më të madhe në botë në Norvegji, për të patrulluar kufijtë veriorë të aleancës. Anija USS Gerald R. Ford ka mbërritur që të mërkurën në shtetin nordik dhe sipas mediave lokale atje, do të lundrojë në Rrethin Arktik. E emërtuar për nder të ish-presidentit amerikan Gerald Ford, anija mund të mbajë mbi 75 mjete fluturuese ushtarake.

Nga ana tjetër, Rusia tha se ka angazhuar për këtë stërvitje në Baltik – ku ndodhet gjysmë-eksklava e Kaliningradit – 40 anije dhe varka ushtarake, 25 mjete fluturuese dhe rreth 3500 ushtarë. Stërvitja ruse parashikohet të zgjasë deri më 15 qershor.

Përveç saj, Rusia ka nisur stërvitje ushtarake edhe në Detin e Japonisë, ku ka përfshirë 60 anije luftarake nga flota e Paqësorit. Operacioni aty do të zgjasë deri më 20 qershor dhe në të janë angazhuar 11 mijë ushtarë.