Monday, February 26

Tensione të dhunshme në veri, reagon Policia e Kosovës: Protestuesit hodhën gaz lotsjellës

Protestat e serbëve lokalë në veri të Kosovës janë shoqëruar me tensione. Policia ka dalë me një njoftim për shtyp, ku bën me dije se protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut; në Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan.

Po ashtu policia njofton se, para objektit të komunës së Zveçanit, protestuesit kanë tentuar të kalojnë me dhunë kordonët e sigurisë për tu futur me dhunë në objektin e komunës.

“Policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll. Angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimi sigurisë ndaj qytetarëve, liria e lëvizjes së lirë si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, do të vazhdojnë të mbesin ndër objektivat dhe detyrat primare të Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës është duke menaxhuar situatën, njëkohësisht fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjeve të protestave, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhet në njoftim.

Në Zubin Potok, aty ku sot do të nisë punën kryetari kosovar Izmir Zeqiri. Tashmë kanë nisur të mblidhen protestuesit serbë për të kundërshtuar udhëheqjen e tij në këtë komunë. Të gjitha rrugët rreth objektit komunal si dhe përgjatë magjistrales janë siguruar nga forcat e KFOR-it, kurse policia e Kosovës ndodhet në hyrje të objektit të komunës.