Saturday, July 13

Vuçiç jep zyrtarisht dorëheqjen nga partia/ Do të krijojë një lëvizje të re politike

Ashtu siç kishte paralajmëruar një ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dha dorëheqjen nga udhëheqja e partisë në pushtet, SNS apo Partia Përparimtare Serbe.

Gjatë një takimi të strukturave të saj në Kragujevc, Vuçiç propozoi që vendin e tij në krye të kësaj force politike, ta zërë ministri i mbrojtjes, Millosh Vuçevic, i cili është gjithashtu zyrtar i lartë i kësaj partie.

“Milloshi është i përkushtuar ndaj SNS-së dhe ndaj idesë për një Serbi të pavarur dhe të begatë”, u shpreh Vuçiç në fjalimin e tij. Presidenti serb njoftoi më herët se duke nisur nga 28 maji do të nisë formimin e një lëvizjeje të re. Por, shtoi se do të vazhdojë të qëndrojë dhe në partinë SNS.

Lëvizja që ai synon të krijojë, nga sa shpjegoi dhe vetë, do të jetë më e gjerë se SNS-ja, sepse qëllimi i tij është që në të të marrin pjesë edhe persona që nuk janë pjesë e partisë. Gjatë fjalimit në Kragujevc ai përmendi dhe situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Pas rritjes së tensioneve në zonë, Serbia ngriti në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave të saj të armatosura.

“Synimi i shteteve në Perëndim është që të dalin me një deklaratë kundër autoriteteve në Kosovë për të na kënaqur ne, por me çfarë të jemi të kënaqur, me realitetin e ri, që është në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe normat ndërkombëtare. Rezistenca e popullit serb në Kosovë do të jetë më e fortë, shpresoj përmes mjeteve paqësore”, tha Vuçic.