Saturday, July 27

Pas 25 vitesh, ushtari i UÇK-së vë në vend amanetin e babait

Kujtimet e luftës në Kosovë janë tepër të hidhura, por prej asaj periudhe shumë familje në vendin tonë kanë krijuar lidhje të forta edhe me shqiptarët që jetojnë atje. Enveri, i cili ka qenë ushtar i UÇK-së, tregoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” sesi familjes së tij iu gjend pranë familja Shkurti në Librazhd.  Ai ndodhej në luftë, por familjarët nuk kanë reshtur së treguari e shprehur mirënjohje për shtëpinë në Dorëz që u hapi dyert e zemrën.

Edhe pse miqësia është ruajtur, dy familjet s’kanë mundur të takohen prej vitesh prej rrethanave të ndryshme. Babai i ka lënë Enverit një amanet që ai ka ardhur ta vërë në vend në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ku ka ftuar Jakupin dhe Qemalin nga familja Shkurti.

Enver: Këta kanë të drejtë edhe mos të më njohin, por unë s’kam të drejtë mos t’i njoh këta. Daja Jakup dhe daja Qemal, ju falenderoj përzemërsisht që keni pranuar ftesën të vini në këtë emision. Ju jemi shumë mirënjohës dhe shumë borxhli për atë që keni bërë për familjen time në kohën më të vvështirë dhe më të nevojshme kur familja ime kishte nevojë.

Qemal: Asgjë s’kemi bërë, akoma më shumë duhet të kishim bërë.

Jakup: Detyrën si shqiptarë, si vëllezër.

Enver: E kam amanet nga babai dhe përmes kësaj dritareje ose këtij gjiganti mediatik që në mënyrë publike ta shohin të gjithë shqiptarët që amanetin e kam dërguar më  në fund. Familja juaj edhe pse kanë kaluar 25 vjet, të kalojnë edhe 200 vjet, ne nuk harrojmë.

Për ta përjetësuar mirënjohjen, Enveri i dorëzon familjes Shkurti edhe një dhuratë simbolike në kujtim të mirësisë së tyre ku shkruhet:

“Mirënjohje! Faleminderit nga zemra familja Shkurti për mirëpritjen tuaj të ngrohtë dhe bujare. E vlerësojmë shumë kohën dhe përpjekjen për të na bërë të ndihemi si në shtëpinë tonë. Shumë faleminderit për gjithçka! Përzemërsisht, familja Fondaj, Kosovë”./tvklan.al