Saturday, July 27

Shqipëria në vend të fundit për lirinë e medias në Evropë/ Rama: Qeveria do marrë përgjegjësitë

“Ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët e interesuara dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për raportin e “Reporterët pa Kufij” për lirinë e medias.

Pasi raporti e renditi Shqipërinë në vendin e fundit, për lirinë e shtypit në vendet e Evropës, Rama shprehet se do e analizojnë dhe më pas do bëjnë një konsultim me të gjitha palët e interesuara për të marrë veprime për mbrojtjen e lirisë së informacionit, luftimin e dezinformimit si edhe mbrojtjen e të drejtave për gazetarët.

Ndër të tjera, kryeministri shton se e qeveria shqiptare është e shqetësuar lidhur me gjetjen kryesore të raportit, se liria e medias në gjithë botën në kërcënim.

“Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot ndaj dua të falënderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre të thellë. Ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët e interesuara dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve. Jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim në të gjithë botën. Qeveria shqiptare është e gatshme të ndërmarrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në thyerjen e këtij trendi”, shkruan kryeministri.

Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke e renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian. Në Indeksin që përfshin 180 vende, ajo radhitet në vendin e 99-të. Kosova radhitet e 75-ta.Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.

“Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre”-thuhet në raport.