Wednesday, April 24

“Ma jep makinën, do paguaj me bankë”, si dy vëllezërit shkodranë përvetësuan disa mjete luksoze me 0 lekë

Dy vëllezër nga Shkodra kanë arritur, që përmes mashtrimit të përvetësojnë makina luksoze me vlera të mëdha financiare. Ata porositnin automjete në kompani të ndryshme dhe premtonin se pagesën do ta bënin me anë të transaksionit në bankë.

Në fund makinat mbërrinin në destinacion, por dy vëllezërit nuk e kryenin pagesën. Këtë veprim dyshohet se ata e kishin bërë në dhjetëra raste, derisa ranë në gjurmët e policisë, pas denoncimeve të ndryshme.

Pasi skema e tyre mashtruese u zbulua, E. Ç., 22 vjeç ka rënë në pranga dhe do të përballet me akuzën e “Mashtrimit” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. E njëjta akuzë rëndon edhe për vëllanë tjetër, G. Ç., 33 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.

Njoftimi nga Policia Shkodër: Finalizohet operacioni policor i koduar “Skema”, sekuestrohen 6 automjete luksoze të tipeve të ndryshme. Përfitonin automjete luksoze, përmes mashtrimit, duke mos u dhënë pronarëve të automjeteve, paratë për to, vihet në pranga 22-vjeçari dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Në hetim edhe një shtetas tjetër, pasi dyshohet se duke patur dijeni për këtë veprimtari të kundërligjshme, i përvetësonte këto automjete, me qëllim shitjen.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda proaktive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi E. Ç., 22 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi G. Ç., 33 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Nga provat e siguruara gjatë hetimit, rezultoi se shtetasit E. Ç. dhe G. Ç., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mashtronin shtetas të ndryshëm, me pretendimin se çmimin për blerjen e automjeteve (kryesisht luksoze), do e transferonin në llogarinë bankare përkatëse të shitësit të automjetit. Këta shtetas, edhe pasi i merrnin në posedim automjetet, nuk e paguanin çmimin e tyre, përmes llogarive bankare.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. H., 44 vjeç, pasi dyshohet se duke patur dijeni për këtë veprimtari të kundërligjshme, i përvetësonte këto automjete, për t’i shitur ato, me çmime më të larta.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 6 automjete luksoze të tipeve “Audi”, “Mercedes-Benz” dhe “Porsche”. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për kapjen e shtetasit G. Ç.

Gjithashtu, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër apelojnë për qytetarët që kanë rënë pré e mashtrimit nga këta shtetas, që të paraqiten në ambientet e Policisë, për të denoncuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, per veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.