Procesi i rivlerësimit të zgjedhjeve të 25 Prillit është në përfundim. Afro 500 kutitë që u përzgjodhën me short u rinumëruan ndërsa do të rivlerësohen dhe të gjitha votat e KZAZ 40 në Tiranë, ku votimi dhe numërimi ishin elektronik.
Nga ajo që vihet re deri në këtë fazë të procesit, pasaktësitë më të mëdha i përkasin votave të kandidatëve dhe jo subjekteve.
E ndër më të dëmtuarit nga krahu i opozitës në Tiranë duket të jetë dhe ish-Kryeministri Sali Berisha, ndërsa më i favorizuari Lulzim Basha që duket që i janë llogaritur votat e paraardhësit por dhe rivali i tij në garën për kryetar partie Agron Shehaj.
Nga ky fenomen u prek dhe Kryeministri në Qarkun e Durrësit, mandatin e të cilit zgjodhi të mbajë.
Taulant Balla i cili i sheh më shumë si gabim njerëzor këto pasaktësi, i kërkon Komisionerit Zgjedhor t’i drejtohet organeve të drejtësisë.
Procesi i rivlerësimit të votave nga vetë institucioni i komisionerit shtetëror të zgjedhjeve bëhet për herë të parë, ndërkohë që prej vitesh partitë opozitare që kanë humbur zgjedhjet në 30 vite kanë frymëzuar protesta antiqeveritare me moton: “Hap kutitë ose largohu”.
Tv Klan