Inceneratorët në mes/ Ç’ndodhi mes Ramës dhe Ahmetajt

Inceneratorët në mes/ Ç’ndodhi mes Ramës dhe Ahmetajt

Firmosja nga presidenti Begaj i dekretit për shkarkimin e zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i hapi rrugë largimit përfundimtar nga qeveria të njërit prej ministrave më jetgjatë të kabinetit Rama. Ndonëse kryeministri e argumentoi këtë akt me një Twitter formal ku pretendohej se tani nuk qe më prioritet rindërtimi, por integrimi (foto poshtë), gjithkush e kuptoi se nuk ishte kaq e thjeshtë.

Shumë burime pranë kryeministrit pohojnë se ka kohë që Rama i ka ftohur së tepërmi marëdhëniet me ish zëvendesin e tij, madje është shprehur se ndihet i tradhëtuar nga mënyra se si ky i fundit ka menaxhuar të gjithë procesin e inceneratorëve.

Kjo u duk edhe në mënyrën se si u njoftua lajmi. Nëse për disa ish anëtarë të mëparshëm qeverie çdo gjë është bërë në mirëkuptim, madje duke e filmuar edhe me kamera aktin e divorcit, ku bashkëudhëtarët falenderonin njëri tjetrin për bashkëpunimin, në këtë rast, kryeministri u mjaftua vetëm me një njoftim të thatë dhe konciz.

Ndonëse një pjesë e njerëzve me peshë brenda PS-së e kanë interpretuar largimin e Ahmetajt si pasojë e hakmarrjes nga klani Veliaj, duke u nisur nga fakti se kryebashkiaku dyshon se është ish ministri i ekonomisë dhe financave që i ka dhënë opozitës dokumentat që e nxjerrin atë zbuluar për inceneratorin e Tiranës (linku poshtë), kjo hipotezë ka pak gjasë të jetë e vërtetë.

 

Edhe pretendimi tjetër, se ai ishte bërë pengesë financiare për disa nga aferat që një pjesë e oligarkëve i zgjidhnin drejtperdrejt me Ramën, nuk mbështetet në dëshmi të besueshme.

Versioni më i mundshëm është ai që lidhet me inceneratoret. Duke e kuptuar se skandali është një nga ata që e kanë damkosur përfundimisht me vulën e grabitësit, kryeministri po përpiqet të rikthejë në treg, pas gjysëm shekulli, barcaletën e njërit prej personazheve të famshme të komunizmit, Pal Vata: “Fola me Enverin, por ai nuk dinte gjë, gabimin e kishtë bërë Mehmeti”.

Edhe Rama po shpërndan në rrethe të ngushta se atë e kanë gënyer për inceneratorët. Madje këtë qëndrim ai e mbajti edhe në publik, kur foli përpara komisionit hetimor parlamentar. Ai përmendi mundësinë e “pazareve të bëra skutave”, tha se “politika nuk është hapsirë ëngjëjsh, dhe se njerëzit mund të korruptohen” dhe se ai si kryeminister merret me projektet e mëdha dhe nuk di se “ç’bëjnë ministrat pas shpinës së tij”.

Pra, hipoteza se Rama do ti lërë dikujt faturën e inceneratorëve është mëse evidente. Dhe duke u nisur nga fakti se nje investigim i BIRN, që dikur ai e ka shpërfillur, vërtetonte njohjet e Ahmetajt me Mirel Mërtirin, me sa duket kryeministri ka vendosur të bëjë kurban politik zëvendësin e tij të deri djeshëm.

 

Por, sado të reket Rama të bëjë të paditurin, tashmë nuk ka asnjë dyshim se ai ka qenë arkitekti dhe dhe mbikqyrësi i gjithë këtij projekti korruptiv, që deri më tani ka çuar në pranga një ish ministër, një deputet dhe në kërkim bosët e koncesionit.

Nëse nuk do ishte kështu, nuk mund të ndodhte që të nënshkruheshin plot 9 akte brenda një dite të vetme. Nëse nuk do të ishte kështu, edhe po të supozohet se nuk e patën vënë në djeni, pas denoncimeve të opozitës dhe mediave, Rama do përpiqej të informohej dhe nuk do vazhdonte të sulmonte kritikët e këtij skandali, duke i vënë gjoksin për ta mbrojtur. Nëse nuk do të ishte kështu, ai nuk ai nuk do përpiqej të shpërndante përgjegjësinë kolektive, duke shpënë në kulmin e akuzave PS-në në bënte mbledhje në barkun e inceneratorit të Elbasanit.

Pra, sado që të reket të përhapë fjalën se është prerë në besë, ky version është pak i besueshëm. Vetë kryeministri e di këtë më mirë se kushdo, prandaj e paraqiti largimin e Ahmetajt si një përmbyllje të procesit të rindërtimit, ndonëse e la të hapur thashethemnajën e përgjegjësisë tek inceneratorët, për ata që duan ta besojnë me çdo kusht.

Politike