Pagesat buxhetore për PPP-të arritën në 95 milionë euro, 17% shkuan për inceneratorët në 2021

Pagesat buxhetore për PPP-të arritën në 95 milionë euro, 17% shkuan për inceneratorët në 2021

Pagesat buxhetore për kontratat koncesionare arritën një vlerë prej 11,5 miliardësh lekësh, rreth 95 milionë euro vitin e kaluar raportoi Ministria e Financave në buxhetin faktik 2021, që tashmë e ka depozituar në Kuvend.
Të dhënat tregojnë se pagesat për kontratat koncesionare shumica e të cilave në hetim nga SPAK janë rritur me 19 për qind në raport me vitin 2020.

Të dhënat më të detajuara tregojnë se 17 % e pagesave kanë shkuar tre inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit me një vlerë totale të paguar më 2021 prej rreth 1.9 miliardë lekësh. Ndërkohë SPAK që ka hapur një proces hetimi ka zbuluar një skemë mashtrimi gjigante, teksa aksionaret e tyre kane shpallur në kërkim.
Gati rreth 30 për qind të pagesave buxhetore kanë shkuar për kontratën e rrugës së Arbrit me vlere rreth 3,3 miliardë lekë.

Gjithashtu edhe rreth 29 për qind e pagesave totale shkuan për 4 koncesionet në sektorin e shëndetësisë, ku shumën më të madhe e mori koncesioni i sterilizimit me 1,5 miliardë lekë, shërbimi laboratorik me 1,1 miliardë lekë, shërbimi i dializës me 754 milionë lekë dhe Check -Up 219 milionë lekë, për shkak se ishte i pezulluar deri më shtator 2021. Koncesionet në shëndetësi janë në hetim nga SPAK. Disa ditë më parë SPAK mori në pyetje ish ministrin e Shëndetësie, Ilir Beqja.

Në fund të vitit 2021 nga 13 kontrata koncesionare/PPP, me mbështetje buxhetore për 12 kontrata u regjistruan pagesa faktike buxhetore, për periudhën 12 mujore. Për 1 kontratë nuk u krye asnjë pagesë.
Fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2021, sipas planit vjetor të ndryshuar, me destinacion mbështetjen nga buxheti për kontratat koncesionare/PPP, në total ishin rreth 11.82 miliardë lekë.

Pagesat faktike për vitin 2021, në total rezultuan në rreth 11.5 mld lekë ose 97.4% e planit përfundimtar 2021. Kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionare/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit 2020, përllogaritet në rreth 19.93 miliardë lekë.
Referuar tabelës së mëposhtme, pagesat vjetore neto të realizuara (faktike) nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, për kontratat koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore, rezultuan në rreth 11.5 miliardë lekë.
Pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP, për vitin 2021, përbën vetëm 2.89 për qind të totalit të të ardhurave tatimore faktike të vitit 2020, prej rreth 398.66 miliardë lekë./Monitor

Aktualitet