“Perversët politikë, dyshja Rama-Vuçiç na kërkon të harrojmë se në Kosovë kishte genocid serb”

“Perversët politikë, dyshja Rama-Vuçiç na kërkon të harrojmë se në Kosovë kishte genocid serb”

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore, është shprehur me tone të ashpra sot në drejtim të kreut të qeverisë Edi Rama dhe “ushtrisë së madhe të perversëve politikë dhe mediatikë” gjatë promovimit të librit “Kurrë mos harro” për genocidin serb në Kosovë, që u organizua në Tiranë.

Bytyçi e përfshiu kryeministrin në një dyshe me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç tek e akuzoi se “dyshja Tiranë –Beograd na kërkon ne shqiptarëve të harrojmë se në Kosovë kishte genocid, të harrojmë vrasjen e Adem Jasharit me 56 anëtarët e familjes së tij…”

“Harresa dhe kujtesa janë dy fenomene njerëzore në antitezë me njëra – tjetrën, – theksoi studiuesi i njohur. –  Kujtesa është jeta, është kurse harresa është vdekja e njeriut. Njeriu sa herë e sa më shumë harron, aq më pak vlerë merr. Harron numrin e telefonit, datën, madje ditën e lindjes, apo diçka që do të thotë, një ide, një mendim, ndoshta një perlë dhe kur kujtohesh, nuk ka më vlerë. Pastaj ndjehesh keq, mërzitesh, bëhesh nervoz, ndërsa kujtesa e bën njeriun të lumtur ose së paku e bën të reflektojë për një jetë më të mirë.

Megjithatë, një ushtri e madhe perversësh me pushtet politik e mediatik në Shqipëri dhe në rajon, përpiqen që ne shqiptarëve të na bëjnë kolektivisht të harrojmë të shkuarën, të harrojmë për shembull se para dy dekadave Serbia mobilizoi ushtrinë, policinë, paramilitarët për të asgjësuar tërësisht shqiptarët e Kosovës.

Këta perversë na thoni “harrojini masakrat, harroni eshtrat e shqiptarëve të zhdukur në brigjet e Danubit dhe Savës, harroni ata 1400 fëmijë të vegjël që u vranë barbarisht prej Milosheviçit dhe Ministrit të tij të propagandës, Aleksandër Vuçiç, thjesht se këta fëmijë ishin trashëgimtarë të shqiptarëve.

Na thoni harroni mbi 20 mijë përdhunimet e tmerrshme të grave dhe vajzave shqiptare.

Dyshja Tiranë –Beograd na kërkon ne shqiptarëve të harrojmë se në Kosovë kishte genocid, të harrojmë vrasjen e Adem Jasharit me 56 anëtarët e familjes së tij; të harrojmë vrasjen e Bajram Kelmendit dhe dy djemve të tij; vrasjen e Fehmi Aganit apo masakrën e Reçakut dhe qindra masakra të tjera ku janë përfshirë mbi 12 mijë viktima të pafajshme shqiptarësh.

Dueti Rama-Vuçiç e konsideron “rrëmujë ballkanike” e jo gjenocid serb, djegien dhe shkatërrimin, asgjësimin e shqiptarëve në Kosovë kur ndërkohë gazetat gjermane të kohës shkruanin se “Peja i ngjan Hiroshimës!”, nënvizoi Bytyçi.

Politike Rajoni