Friday, July 19

Një ditë pas Monika Kryemadhit/ Kreu i PL, Ilir Meta dy orë në SPAK, sulmon kryeprokurorin: Po shkoj të takoj Dum Dumanin, është ai që…

Kreu i PL, Ilir Meta ndodhet prej 2 orësh në SPAK, pasi u thirr një ditë pas bashkëshortes dhe deputetes Monika Kryemadhi.

Atij, mësohet nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, i është dërguar ftesë nga prokurori i posaçëm, Sotir Kllapi që po kryen hetim pasuror ndaj çiftit Meta.

“Çfarë ka ndodhur, çfarë ka ndodhur? Po shkoj të takoj Dum Dumanin. A e njihni Dum Dumanin kush është? Është ai që nuk guxon të hapë Çështjen McGonigal. Sepse është kokë e këmbë bashkë me Edi Ramën. Dum Dumani është ai që nuk guxon të përmendë njëherë emrin e Edi Ramës, as për Çështjen e Sali Berishës”, tha Meta para gazetarëve.

SPAK i mori deputetes Monika Kryemadhi pesë orë nga dita e saj një ditë më parë. E thirrur si person që ka dijeni, deputetja e Partisë së Lirisë tha sapo doli nga prokuroria se u pyet  për të gjitha.

Me një telefon që vazhdon të jetë i sekuestruar por që zonja Kryemadhi shprehet se në të ka “vetëm gjëra të bukura”, ftesa ndaj saj ishte edhe si bashkëshorte e ish presidentit Ilir Meta, për sa kohë në paketën e pyetjeve ishin përfshirë edhe ndërhyrjet estetike edhe lobimi.

Ndryshe nga çdo radhë tjetër kur e ka kaluar këtë prag si denoncuese, si e denoncuar deputetja dha përgjigje edhe për një çështje tjetër.

Veç krizës politike mes çiftit Meta, Kryemadhi e bëri të qartë se kishte dhe një lloj tjetër ndarjeje me Ilir Metën dhe kjo është për shkak të qëndrimeve të tij ndaj SPAK.

Për hetimet SPAK gjatë dy viteve ka kryer disa veprime, më kryesoret letërporositë dhe kontrollet financiare. Se cilat janë përgjigjet do të kuptohet në javët në vazhdim, ku dyert e SPAK janë të hapura edhe për persona të tjerë që pritet të thirren.

 

Top Channel